75 Mall Live Search
18:33 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2025 / Z S

Bajram Begaj uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në urimin e tij, Begaj  ka përgëzuar institucionet dhe qytetarët e Kosovës për përkushtimin e tyre në ndërtimin dhe konsolidimin e një shteti të pavarur, sovran dhe demokratik.

Begaj ka vlerësuar faktin që Kosova është një realitet i pakundërshtueshëm dhe një partner i besueshëm në rajon, duke theksuar kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe prosperitetin.

Ai ka theksuar rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve “si dy shtete të një kombi me një të ardhme të përbashkët euroatlantike”.

Në mesazhin e tij, Begaj ka ripërsëritur mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën në të gjitha sfidat e saj, përfshirë përpjekjet për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe rajonale./Indeksonline/