19:52 / E Mërkurë, 24 Shkurt 2021 / Blerim

Bajrami: Dy hajnat e 2.1 milionëshit janë në burg, gjithë përfituesit nën hetime

Ish ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se për rastin e vjedhjes së Thesarit janë në burg dy persona, ndërsa përfituesit e tjerë janë nën hetime.

Përmes një statusi në Facebook, ajo ka shkruar se të gjitha mjetet financiare janë gjurmuar dhe shumica prej tyre janë të bllokuara, shkruan Indeksonline.

Ndërsa sapo të kryhet procesi gjyqësor mjetet do të kthehen në buxhet.

Në vijim statusi i plotë i Hykmete Bajramit:

Dy hajnat e 2.1 milionëshit janë në burg, gjithë përfituesit nën hetime
Vjedhja e Thesarit shënon rastin e parë në Kosovë ku gjithçka është duke u zbardhur. Dy persona janë në burg – zyrtari i MF i cili ka punuar në Thesar nga viti 2011 dhe pronari i kompanisë. Përfituesit tjerë janë nën hetime.
GJITHÇKA është e qartë dhe po zbardhet.

Rastin e kam denoncuar unë edhe sot kërkoj që të gjithë hajnat duhet të marrin dënime kapitale.

Të gjitha mjetet financiare janë gjurmuar, shumica prej tyre janë të bllokuara dhe sapo të kryhet procesi gjyqësor ato mjete do të kthehen në buxhet.

Organet e drejtësisë NUK do të dështojnë në këtë rast sepse çdo gjë DIHET. Besoj që Prokuroria të dalë sa më shpejtë me sqarime shtesë dhe informacione më të detajuara rreth këtij rasti.

Pra, unë e kam lajmëruar Policinë, AKI-në, Prokurorinë. Jam ballëhapur para Zotit dhe para secilit qytetar të Republikës.
Hajnat do t’i denoncoj në secilën pozitë që do të jem. Edhe si deputete do të jem zëri i gjithë atyre qytetarëve që më kanë votuar tash më shumë se në zgjedhjet e kaluara.
Hykmete Bajrami/Indeksonline