15:22 / E Premte, 23 Mars 2018 / indeksADMonline

Bajrami e vetmja femër paneliste në konferencën e Grupit për Ballkan

Me qëllim të avancimit të rinjve dhe zhvillimit të tyre në karrierën politike, sot u organizua një konferencë nga Grupi për Ballkan, ku si temë dhe qëllim ishte “Avancimi dhe fuqizimi i të rinjve në politikë”.

Nga 61 të rinj pjesëmarrës që vinin nga të gjitha subjektet politike, përballë tyre ishin ftuar përfaqësues prej të gjitha subjekteve politike, e në mesin e të ftuarve e vetmja përfaqësuese femër ishte Valdete Bajrami, e cila vinte nga radhët e Nismës Socialdemokrate.

Nga kjo konferencë, qëllimi i të rinjve ishte njohja me penalistët dhe me përvojat e tyre të politikëbërjes si dhe rrugën politike nëpër të cilën kanë kaluar në subjektet që përfaqësojnë.

Në këtë rast, përfaqësuesja e Gruas së Nismës Socialdemokrate, Valdete Bajrami, shpalosi një pjesë të sakrificave në rrugën e saj të edukimit dhe suksesit në politikë.

“Në rrugën time të edukimit dhe shkollimit ka pas shumë sakrifica. Pasi studimet themelore ne Gjilan studimet për mastër i kam vazhduar ne Gjermani, dhe kjo ishte aspak e lehtë për mua, por pavarësisht vështirësive kur mbarova studimet u ktheva nga Gjermania edhe atë me plot vullnet për të kontribuar për vendin tim.
Kështu që fusha në të cilën e gjeta kontributin tim ishte politika, e që me punë dhe vullnet të pa kursyer arrita deri te suksesi im në politikë”, ka thënë Valdete Bajrami para shumë të rinjve pjesëmarrës.

Në mes tjerash, Valdete Bajrami dha një model për të rinjtë se si partia nga radhët ë së cilës vjen ajo, me prioritet të veçantë u jep hapësire rinisë në vendimmarrje duke shtuar se Nisma vlerëson shume kreativitetin e të rinjve.

Madje ajo në këtë rast thotë se, edhe pse ajo nuk ka ndonjë kohë shumë të gjatë që është kyçur në politikë, ajo shumë shpejtë ka gjete mbështetje tek subjekti saj, çka si rezultat i përkrahjes së ideve dhe vullnetit të saj në politikëbërje e ka bërë atë edhe një deputete të suksesshme.