75 Mall Live Search
09:05 / E Mërkurë, 31 Gusht 2022 / LB

Bajrami: Ministria e Arsimit të dialogojë me grevistët për të gjetur zgjidhjen

Deputetja Hykmete Bajrami, duke kritikuar çalimin e sistemit të Drejtësisë në vend për rastin e dhunës ndaj vajzës së mitur, foli për gjendjen aktuale politike në vend.

Ajo në “Lajmet e fundit” foli edhe për dorëheqjen e shefit të Policisë së Kosovës, ku, sipas saj, para se të dorëhiqet duhet të shikohet se çfarë ka bërë ai në ngritjen e sistemit të sigurisë në kuadër të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket personave të zhdukur në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi, deputetja Bajrami konsideron se nuk është bërë sa duhet për fatin e të zhdukurve, sepse është plagë që vazhdon.

“Është bërë politikë me këtë kategori të shoqërisë sonë” tha deputetja Bajrami, duke rikujtuar deklarimet e Kurtit sa ishte në opozitë dhe veprimet e tanishme si pushtetar.

Ndërkaq lidhur me marrëveshjen për reciprocitet mes Kosovës e Serbisë, deputetja Bajrami tha se dialogu sipas Kurtit ishte prioritet i 6 apo 7, ndërsa tani jemi me probleme të shumta dhe që dialogu është bërë prioritet e që ka rrëshqitur komplet.

“LDK ka qenë gjithnjë konstruktive kur është bërë fjalë për interesat e shtetit, por shqetësuese është se kjo qeveri po shkon e papërgatitur në dialog, derisa po dialogohet në aspekte teknike”, deklaroi deputetja Bajrami.

Ajo u shpreh se nuk ka transparencë mbi takimet me Vuçiqin.

Ndërsa për atë se çfarë do të ndodhë më 1 shtator, deputetja Bajrami tha se mbetet të shihet.

Tutje ajo tha se për të dalë nga situata të tilla duhet koordinim me ndërkombëtarët.

Ndërsa lidhur me grevat deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke rikujtuar veprimet e saj si ish-ministre e Arsimit, ftoi Ministrinë e Arsimit të dialogojë me grevistët për të gjetur zgjidhjen.

Më tej, duke kritikuar ndarjen buxhetore, ajo bëri thirrje që të kenë në konsideratë arsimin dhe shëndetësinë, sepse, sikundër tha ajo, janë lënë anash prej vitesh.

Në fund, deputetja Bajrami foli edhe për energjetikën, e cila ka kritikuar keqmenaxhimin e kësaj qeverie mbi energjinë, ngase, sipas saj, për rënien e blloqeve nuk ka lidhje lufta në Ukrainë.