75 Mall Live Search
19:18 / E Hënë, 27 Korrik 2020 / indeksADMonline

Bajrami porositë doganierët që të rrisin efikasitetin e punës në luftën kundër evazionit fiskal

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, ka vizituar sot Doganën e Kosovës ku është takuar me menaxhmentin e lartë të Doganës.

Gjatë takimit me stafin udhëheqës të Doganës, Ministrja Bajrami u njoftua nga afër me punën dhe vështirësitë me të cilat po përballet Dogana në këtë periudhë të pandemisë si dhe për mbledhjen e të hyrave doganore për buxhetin e Kosovës. Me këtë rast, Ministrja Bajrami theksoi se oficerët doganorë duhet të rrisin efikasitetin e punës në luftimin e evazionit fiskal dhe informalitetit, si  parakusht për rritjen e të hyrave tatimore doganore.

Ndërsa u.d. drejtori i Doganës së Kosovës Ibrahim Xhaka  falënderoi Ministren Bajrami për vizitën dhe për përkushtimin e saj për të qenë sa më pranë oficerëve doganorë si dhe e njoftoi atë me aktivitetet e Doganës, me dinamikën e të hyrave tatimore doganore.

Ministrja Bajrami sot vizitoi edhe pikën doganore në Vërmicë ku u njoftua nga afër me punën e Doganës në këtë pikë, sidomos me qarkullimin e mallrave nga të dyja anët e kufirit.