Bajrami: Qytetarët në terr e qeveria shiste rrymë, vetëm në dhjetor eksportoi 135 milionë euro

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se Qeveria e Kosovës i la me orë të tëra në terr qytetarët në mujain dhjetor, për ta shitur energjinë elektrike. Bajram thotë se qeveritarët arsyetoheshin për ngarkesë të madhe të rrjetit dhe se atëherë nuk dihej e vërteta, por se tashmë ajo dihet.
“ Në dhjetor, derisa qytetarët e bizneset qendronin në të ftohtë e errësirë energjia elektrike eksportohej – shitej jashtë Kosove dhjetorin që e lamë pas, kur temperaturat ishin shumë të ulëta, fshatra e qytete të tëra, me orë e më ditë s’kanë pasur energji elektrike. A ju kujtohen arsyetimet e qeveritarëve se “rrjeti s’po mund të bartë ngarkesën sepse ka konsum të madh,” se “konsumi është rritur për shkak të zhvillimit ekonomik,” etj.? Në dhjetor nuk e dinim të vërtetën, por sot ajo dihet. Nuk kemi pasur energji elektrike nga 8 e 12 orë në ditë sepse qeveria ka vendosur të shesë atë jashtë vendit, dhe këtë s’po e them unë, këtë e thonë të dhënat e Doganave të Kosovës. Derisa eksporti i energjisë elektrike për tërë vitin 2024, sipas OpenData të Doganës së Kosovës, është 150.5 milionë euro, vetëm në dhjetor eksporti (shitja jashtë Kosovës) është 135 milionë euro”, ka thënë Bajrami.
Bajrami thotë se nuk ka pasur reduktime në dhjetor sepse energjia elektrike është shitur në Shqipëri për 114.6 milionë euro, në Slloveni për 10.7 milionë euro dhe në Maqedoni për 2.3 milionë euro.
Gjatë dhjetorit importi i energjisë ka qenë në shumë prej 38 milionë euro.
“A po e shihni qytetarë dhe ju përfaqësues të bizneseve, se sa kujdeset kjo qeveri për ju; ju ka lënë pa energji për ta shitur atë. Tani, a e ka bërë sepse kështu ju leverdis tregtarëve të energjisë apo për të dalë me bilanc pak më pozitiv në fund të vitit, kjo mbetet të shihet”, ka thënë Bajrami.
Ndërsa ka dhe disa pyetje për qeveritarët, nga të cilët kërkon përgjigjje:
Si ka mundësi që në dhjetor, kur ka pasur mungesë të energjisë elektrike deri në 12 orë, të ketë pasur eksport të energjisë në shumë prej 135 milionë euro?
Me çfarë çmimi është shitur energjia elektrike dhe me çfarë çmimi kemi blerë energji elektrike?
Kush ka përfituar nga këto transaksione?
Nëse kemi shitur më shtrenjtë dhe blerë më lirë, ta dini që ai fitim është paguar nga konsumatorët dhe bizneset.
Ky rast duhet të hetohet nga organet e drejtësisë.
Kush ka përfituar?
Kush po punon për mafinë energjetike? Apo tani mafia energjetike është pjesë e institucioneve?!
Të mos harrojmë në dhjetor qeveria i ka ndërprerë energjinë elektrike edhe KFOR-it për ta shitur atë.