75 Mall Live Search
12:42 / E Hënë, 26 Maj 2025 / S Z

Bajrami: Të hetohet KEK-u dhe qeveria për korrupsionin e madh që po ndodh në energji

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se Prokuroria e Kosovës duhet të hetojë çdo gjë, pasi që nuk ka korrupsion më të madh se sa në fushen e energjisë në Kosovë.

Bajrami ka thënë se duhet të hetohet KEK-u, qeveria, KOSTT-i, ZRRE-ja dhe NOA  si tregtari më i madh i energjisë dhe lidhjet e kësaj kompanie me Serbi e me këdo në Kosovë si edhe kompanitë dhe palët e tjera përfituese në krejt këtë situatë.

“Kushdo që e zbardhë këtë skemë do të hyjë në historinë e këtij shteti si patrioti më i madh i pasluftës. Ndryshe, nëse ky skandal i përmasave të Watergate heshtet dijeni të gjithë se do të shkatërrojë ekonominë e këtij vendi dhe do ta varfërojë çdo familje në Kosovë”, ka thënë Bajrami.

Postimi i plotë i Bajramit:

Prokuroria e Kosovës duhet ta dijë se s’ka korrupsion më të madh sesa korrupsioni që po ndodhë me energji

Duhet të hetohet çdo gjë.

Duhet të hetohet KEK-u: Pse remontet bëhen dimrit? A është gjeneruar energji më shumë verës e natën kur nuk kemi konsum edhe aq, më pak ditën duke ndikuar në rritjen e importit? Të hetohen tenderët dhe ndikimi i realizimit të tyre në kapacitetet gjeneruese dhe rritjen e importit?

Duhet të hetohet qeveria/Ministria e Ekonomisë dhe ndërhyrjet politike në KEK, ZRRE dhe KOSTT.

Duhet të hetohet KOSTT-i: Si është e mundur që çmimet në ALPEX janë më të shtrenjta sesa në HUPX gjatë tërë vitit 2024 dhe gjatë viti 2025? Si është lejuar të kalojë importi i energjisë me çmim transporti deri në 800 euro për MWh?

Duhet të hetohet ZRRE-ja, sepse kjo licencon KEK-un, KOSTT-in dhe të gjithë operatorët privatë.

Duhet të hetohet NOA si tregtari më i madh i energjisë dhe lidhjet e kësaj kompanie me Serbi e me këdo në Kosovë si edhe kompanitë dhe palët e tjera përfituese në krejt këtë situatë.

Kushdo që e zbardh këtë skemë do të hyjë në historinë e këtij shteti si patrioti më i madh i pasluftës. Ndryshe, nëse ky skandal i përmasave të Watergate heshtet dijeni të gjithë se do të shkatërrojë ekonominë e këtij vendi dhe do ta varfërojë çdo familje në Kosovë.

Mos harroni, në Kosovë janë mbi 700 mijë njehsorë/matës të energjisë – një euro më shumë në muaj për secilin, llogaritni sa kushton, por rritja prej 128% sa mendoni se është? E rritja deri në 260% për 1300 biznese – sa?

Krejt këto kanë çmimin e të ardhmës së këtij vendi – nuk guxojmë me u bë peng i këtyre përfituesëve, andaj na duhet reagim!

Një shtet dhe një shoqëri nuk mund të dorëzohen para veprës më të madhe korruptive që po ndodh në historinë e vendit tonë.

Falenderoj gazetarët që kanë shpërfaqë fakte shokuese dhe na i kanë hapë sytë me gisht siç thotë populli, për me pa se çka po ndodhë në sektor.