75 Mall Live Search
14:51 / E Martë, 24 Qershor 2025 / Z S

Bajrami: Vendimi i Gjykatës Komerciale është hapi i parë drejt ndalimit të padrejtësive në sektorin e energjisë

Gjykata Komerciale ka marrë vendim për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për treg të hapur deri në një vendim të gjykatës.

Lidhur me këtë ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Sipas Bajrmit, vendimi i Gjykatës Komerciale është hapi i parë drejt ndalimit të padrejtësive në sektorin e energjisë.

Postimi i plotë:

Vendimi i Gjykatës Komerciale është hapi i parë drejt ndalimit të padrejtësive në sektorin e energjisë

Përshendes vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila më 18 qershor 2025 paska miratuar kërkesën e një biznesi për pezullimin e përjashtimit nga shërbimi universal. Edhe pse bëhet fjalë për një rast individual, ky vendim krijon precedent të rëndësishëm duke e vënë në pikëpyetje gjithë procesin e imponuar nga ZRrE për kalimin në tregun e ashtuquajtur të hapur, i cili vetëm si i tillë nuk ekziston.

Në anën tjetër shprehim keqardhje që ZRrE në vend se të reflektojë, paska zgjedhur të dalë publikisht me një deklaratë arrogante, duke e paraqitur vendimin si të parëndësishëm dhe duke u munduar të minimizoj ndikimin e tij. Kjo tregon për mungesë përgjegjësie dhe mosrespektim të vendimeve të organeve të drejtësisë dhe për vazhdimin e një politike të komplet të gabuar, të papërgjegjshme dhe jo-transparente. Por, ZRrE duhet ta dij ndikimin e këtij vendimi sepse nëse një biznes ka fituar të drejtën për pezullim të përkohshëm për shkak të mungesës së kushteve të barabarta dhe planifikimit, atëherë të gjitha bizneset e tjera të përjashtuara nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike janë në të njëjtën situatë dhe kanë të njëjtat të drejta. Vendimi nuk është thjesht “teknik” apo “individual” – është tregues i qartë i një procesi të dështuar dhe të papërgatitur nga ZRrE e mbështetur nga Qeveria.

Pres që:

• Gjykata Komerciale të shqyrtojë me prioritet paditë e tjera të deponuara nga shoqatat dhe biznese, tanimë janë dhjetra padi të tilla ku qindra biznese të përjashtuara nga furnizimi universal u janë drejtu gjykatave duke kërkuar një periudhë tranzicioni dhe mbështetje nga ana e qeverisë.

• Gjykata Komerciale gjithashtu të trajtojë me urgjencë edhe vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, vendim që rëndon drejtpërdrejt mbi ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla.

• Organet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë Speciale, të nisin hetime të hollësishme për të ashtuquajturën “mafi energjetike”, për mënyrën si është menaxhuar importi dhe eksporti i energjisë, ndarja e tenderëve në KEK dhe ndikimi i grupeve të interesit në politikat energjetike.

Nuk mund të kemi liberalizim tregu pa u siguru fillmimisht që kemi konkurrencë reale, pa transparencë dhe pa mbrojtje të konsumatorit dhe bizneseve. Nuk mund të kemi institucione rregullator dhe organe vendimmarrëse që e përdorin “tregun e lirë” si justifikim për të rritur çmimet dhe për ju shërbyer interesave të tregtarëve të energjisë.