Balaj-Halimaj garanton shërbime falas për fëmijët e komunës së Prizrenit që kanë nevojë për logoped

Kandidatja e Nismës për kryetare të Prizrenit, Albulena Balaj-Halimaj, ka premtuar ofrimin e shërbimeve falas të logopedisë për fëmijët që kanë nevojë, duke theksuar se ky është një problem i rëndësishëm, por i neglizhuar nga institucionet lokale.
“Çdo ditë e keni parë se si është diskutuar për grantet dhe subvencionet në komunën tonë që janë shpërndarë, por kurrë askush nuk e ka diskutuar sa i kushton një prindi një seancë logopedie për fëmijën e vet,” tha Balaj-Halimaj, transmeton IndeksOnline.
Sipas saj, një seancë 45-minutëshe tek logopedi kushton minimum 20 euro.
“Nëse logopedi rekomandon që një fëmijë duhet të mbajë 5 seanca në javë, i bie 100 euro. E për një muaj kushton 400 euro. Ndërsa paga minimale është 350 euro,” theksoi ajo.
Balaj-Halimaj ngriti shqetësimin se deri më sot askush nuk është interesuar për këtë barrë financiare që rëndon prindërit.
“A i ka interesuar dikujt ndonjëherë në këtë qytet të paktën me mendu ku i merr ky prind këto para për me i ndihmu fëmijës së vet?”
Tutje, ajo propozon që Komuna e Prizrenit të mbështesë më shumë organizatat që merren me këto problematika, në mënyrë që qasja e prindërve të jetë më e lehtë dhe fëmijët të mund ta kryejnë këtë shërbim pa pagesë.
“Unë jam e sigurtë që po, e qysh kish ndodh kjo? Tu i ndal disa subvencione edhe grante të cilat nuk kanë interes për qytetarët dhe duke i mbështetur organizata që merren me këtë problem,” shtoi ajo.
Në fund, Balaj-Halimaj theksoi angazhimin e saj personal për këtë kauzë.
“Unë, si kryetare, kam me bërë këtë që për këta fëmijë, prindërit e tyre mos me i pagu. Këto shërbime kanë me i marrë falas prej Komunës së Prizrenit. Sepse unë jam grua, unë jam nënë dhe mendoj ndryshe.”./IndeksOnline/