20:19 / E Diele, 12 Korrik 2020 / indeksADMonline

Balaj-Halimaj nesër në Shqipëri, diskutohet për mbledhjen e dy qeverive

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku do të takohet me homologun e saj Erion Braçe.

Agjenda e zëvendëskryeministres Balaj-Halimaj ndërlidhet me mbledhjen e dy qeverive që pritet të mbahet në muajin shtator në Shkodër, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të reja mes dy qeverive.

Ndryshe, Albulena Balaj- Halimaj është caktuar në pozitën e koordinatores së Kosovës për mbledhjet e dy qeverive.

Koordinator kombëtar në qeverinë e kaluar ishte kreu i Nismës, Fatmir Limaj. Ky i fundit pati insistuar në realizimin e disa marrëveshje me Shqipërinë siç ishin marrëveshja për roaming, njohja reciproke e patentë-shoferëve, pika doganore e Kosovës në Durrës etj.