23:20 / E Enjte, 06 Gusht 2020 / indeksADMonline

Balaj Halimi tregon si po i ecën puna si zëvendësuese e Hotit

Albulena Balaj- Halimi, ka folur në lidhje me situatën në Qeverinë e Kosovës, pasi që kryeministri Avdullah Hoti , ka rezultuar me Covid-19.

 Ajo e ftuar në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë  se detyra e saj nuk ka ndryshuar por se vetëm i janë shtuar punët, transmeton IndeksOnline.

E pyetur se a ishte mungesa e zëvendëskryeministrit të parë nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, që ajo të marrë përsipër disa detyra të kryeministrit, ka pohuar se kjo është e vërtet.

“Meqë zotëri Tahiri ishte në pushim, dhe zëvendëskryeministri tjetër po ashtu është i infektuar me Covid, unë kam marrë përsipër këtë detyrë. Kompetencat më kaluan mua. Ka detyra shtesë por që normalisht për gjithçka jemi në koordinim me kryeministrin dhe ai udhëheq nga shtëpia”, theksoi Balaj-Halimi.

Ajo ka komentuar tutje bashkëpunimin me Hotin, duke e cilësuar si të mirë.

“Edhe para se zotëri Hoti të infektohet me Covid ne kemi pasur bashkëpunim të mirë e kemi bashkëpunimin në baza ditore. Për cfarëdo veprimi koordinohemi dhe e informojmë. Sot kam mbajtur mbledhjen e këshillit koordinues për marrëveshjet me Shqipërisë, dhe jemi dakrduar”, nënvizoi ajo./IndeksOnline/