Balaj: Nëse ka dyshime për falsifikim të hetohet rasti ‘Hana’, (Dokument) ja si votoj komisioni

Bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës dje me vendim unanim zgjodhi Burbuqe Hanën në pozitën e Kryeshefes Ekzekutive. Procesi i përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit u bë nga bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës në bashkëpunim me kompaninë britanike BDO, e kontraktuar nga Ambasada britanike në Kosovë. Sipas kompanisë britanike, Burbuqe Hana nuk ka qenë e emërueshme bazuar në vlerësimin e tyre.
Anëtarët e komisionit për këtë pozitë kanë qenë: Shpëtim Dobra, Mimoza Vila, Florina Jerliu, Salmije Thaçi, Agim Muçaj dhe Remzi Ahmeti. IndeksOnline ju sjell dokumentin ku tregon se si anëtarë e Bordit e kanë vlerësuar Hanën me pikë maksimale.

Ndërsa në vlerësimin e britanikëve, Kreshnik Domi ka marrë vlerësimin më të lartë në mesin e pesë kandidatëve me 22.5 nga maksimumi 40 pikë.

Ka dyshime që kandidatja e poentuar me më së shumti vota e ka falsifikuar përvojën e punës. Kryetari i Bordit Shpëtim Dobra, nuk ka dashur të flasë për IndeksOnline, ai ka rekomanduar që të dërgohen pyetjet me shkrim në Telekom. Kjo e fundit ende nuk ka kthyer përgjigje. Ndërsa në një prononcim për IndeksOnline, kryetari i FSP-PTK, Lamih Balaj , ka thënë se nuk ka informata lidhur me pozitat e më hershme të kryeshefes së sapozgjedhur në Telekom. Ai ka thënë se nuk ka informata të sakta se a e ka falsifikuar përvojën e punës në telekom, por e fton prokurorinë që të nisë hetimet dhe të mbyllet kjo temë.
“Unë personalisht e njoh që disa vite znj. Hana por nuk e di pozitat e saj brenda PTK-së e tash Telekomi i Kosovës, atë çka mediat e kanë thënë gjatë ditës së djeshme nuk mund ta argumentoj unë por as nuk dua të besoj që është e vërtet. Ju e dini që unë vazhdimisht kam qenë ithtarë i hetimeve për ç’do akuzë që është bërë edhe për këtë akuzë duhet të zbardhet e vërteta që të mbyllet kjo temë”, tha Balaj.
Konkursi për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës është shpallur më 7 nëntor 2022./IndeksOnline/