Baldwin i shokuar nga tragjedia në setin e xhirimeve

Alec Baldwin është shprehur i shokuar pas gjuajtjes që bëri në setin e xhirimeve për filmin më të ri, si pasojë e së cilës ka mbetur e vdekur drejtorja e fotografisë, Halyna Hutchins, dhe i plagosur regjisori i filmit, Joel Souza, 48 vjeç.
Përmes llogarisë së tij në Twitter, aktori hollivudian ka shkruar se është në kontakt me bashkëshortin e Hutchins, të cilit i ka ofruar edhe mbështetje.
“Zemra ime është e thyer për bashkëshortin e saj, djalin dhe të gjithë që e kanë njohur dhe dashur Halynan”, ka shkruar Baldwin.
Hutchins, 42-vjeçare ka mbetur e vdekur gjatë xhirimeve në orët e vona të së enjtes, në New Mexico, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, ndonëse u transportua me helikopter në spital.
“Nuk kam fjalë për ta përshkruar gjendjen e shokut dhe dhimbjen për shkak të aksidentit tragjik që i mori jetën Halyna Hutchinsit, një bashkëshorteje, një nëne dhe një kolege shumë e admiruar për ne”, ka vazhduar aktori në postimin e tij.
Ai ka bërë të ditur se është duke bashkëpunuar me hetuesit policorë për të kuptuar se si ka ndodhur e gjithë tragjedia.