75 Mall Live Search
21:19 / E Shtunë, 02 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Baliq akuzon prokuroren për rastin e ‘ngacmimit’: Ajo është e ndikuar nga dy politikanë!

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe kryetari aktual i partisë boshnjake Partia e Aksionit Demokratik, Numan Baliq ka reaguar pasi Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj tij, për rastin e “ngacmimit” ndaj Selma Mustafaviqit.

Prokurorja e rastit, Lumturije Hoxha, sipas Baliqit, që nga fillimi e ka trajtuar këtë çështje si sulm/dhunë seksuale e që në faktet që ajo ka gjetur nuk është konfirmuar se është i tillë, por vetëm ngacmim në aspektin e shqetësimit me SMS dhe telefonata.

Në një prononcim për “Indeksonline”, ish-ministri akuzon dy politikanë që, sipas tij, kanë nxitur të ndodh ky rast. Ai ka përmendur presidentin e shtetit, Hashim Thaçi dhe deputeten e grupit 6+, Duda Balje.

“Prokurorja ose ka qenë në ndikim ose ka qenë e influencuar nga kundërshtarët e mi politik që më kanë sulmuar që janë deputetja Duda Balje dhe kryetari i Kosovës, Hashimi (Thaçi v.j.) vet. Ata e kanë nisur këtë fushatë kundër meje dhe dyshojë se e kanë influencuar prokuroren Hoxha e cila ka treguar një anshmëri ndaj rastit”, ka thënë ai.

Më tej, Baliq thotë se prokurorja Hoxha ka marrë dëshmi vetëm nga ana e familjarëve të Selma Mustaviq ndërsa atë nuk e ka lejua t’i prezantojë katër dëshmitarët e rastit. “Unë kam dhënë një deklaratë me shkrim dhe kjo është mënyra e vetme që ma ka lejuar prokurorja e cila më ka injoruar. Po donë të më njollosin një njeri që e ka thënë gjithmonë të vërtetën. Duda Balje është gorank e cila është rritur në Serbi”, është shprehur ai.

Baliq sqaroi se ka prova të mjaftueshme se letra e publikuar lidhur me të është e grisur dhe ka bazë të falsifikimit.

“Pra, nuk është e vërtetë. Unë kam dashur t’i tregojë prokurores t’ia paraqes provat, por ajo nuk më ka lejuar. Prokurorja më ka marrë në pyetje sikurse të ishte agjente. Unë ndihem krejtësisht i pastër. Selma Mustafaviq për katër muaj e gjysmë për çdo ditë ka ardhur në zyrën time. Ajo më ka kërkuar diçka, por si mashkull që jam, më është ofruar, më është joshur më ka ofruar lidhje dashurie, martese, divorcin… Kam pas presion ditor, qindra herë. Ishalla tani do të paraqes faktet e mia dhe të hedhet poshtë aktakuza. I janë shkelur të drejtat kushtetuese një njeriu siç jam unë”, ka deklaruar Baliq.

Ndryshe, Prokuroria e Pejës, përmes një komunikatë për media, ka bërë të ditur se është ngritur aktakuzë ndaj Baliqit, i cili pati mohuar të gjitha akuzat.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga muaji gusht i vitit 2018 e në vazhdimësi ngacmon të dëmtuarën S.M., në atë mënyrë që pasi e njëjta kishte filluar punën praktike në Spitalin Regjional të Pejës, edhe përkundër refuzimit të saj, i pandehuri në vazhdimësi i shkruan në telefon mesazhe me përmbajtje ngacmimi, dhe me datën 3 shtator të vitit 2018, i pandehuri i shkruan edhe një letër me përmbajtje ngacmuese të cilën ja kishte dhënë dëshmitares A.K, për t’ia dërguar të dëmtuarës S.M., dhe pasi që kjo e fundit e kishte lexuar të njëjtën e kishte grisur, ndërsa me vonë e kishte raportuar rastin në polici.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë. Prokurorja e çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Indeksonline/