18:36 / E Mërkurë, 15 Mars 2023 / Gj. Sh

Ballkani e padit për shpifje, Leci i kundërpërgjigjet

Skuadra e Ballkanit ka njoftuar se ka paditur ish-futbollistin dhe analistin, Liridon leci për shpifje.

Ai kishte deklaruar para disa ditëve se Kampioni në fuqi i Kosovës, nuk ka paguar për 3-4 muaj futbollistët, shkruan IndeksOnline.

“Ne jemi vend i vogël dhe gjërat merren vesh. Te Ballkani ka edhe probleme financiare. Kam dëgjuar se ka futbollistë që nuk janë paguar që tre apo katër muaj dhe kjo është një problem për tu motivuar futbollistët”, kishte deklaruar Leci.

E për këtë deklaratë, Ballkani ka reaguar ashpër ndaj analistit kosovar, duke i cilësuar si shpifje këto deklarime.

”Duke e shfrytëzuar situatën sportive, ku si skuadër po kalojmë krizë rezultatesh, dikush ka ndërmarr një “ofensivë” linçuese, ku klubi që shkroi historinë ndërkombëtare të futbollit kosovar, akuzohet se nuk po i paguan lojtarët, qe 3 apo 4 muaj.
Fc Ballkani demanton fuqishëm çdo lajm të rremë në këtë aspekt, derisa sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, ne tashmë kemi bërë padi ndaj një personi që e nxori këtë shpifje në publik, ashtu siç do të veprojmë edhe ndaj të gjithë atyre që tentojnë ta përlyejnë emrin e pastër të klubit.”, thuhet në reagim.

Por Liridon Leci nuk është ndalur dhe i është kundërpërgjigjur klubit të Ballkanit.

”Jo 4 muj po 5”, ka shkruar shkurtimisht leci në profilin e tij në Facebook./IndeksOnline/