12:31 / E Martë, 21 Dhjetor 2021 / AR

“Ballkani i Hapur”, nënshkruhen marrëveshjet mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë

Marrëveshjet në kuadër të “Ballkanit të Hapur” janë nënshkruar këtë të martë në Tiranë mes tre vendeve, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Nga pala shqiptare ishin ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe ajo e Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj që nënshkruan marrëveshjet mes tre vendeve.

Pesë marrëveshjet janë:

1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.

3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.

4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

Këtë të martë po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Tiranë, takim mes kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ata kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar në Shqipëri, ndërsa Rama i priti me darkë mirësardhje në Elbasan duke shmangur kështu udhëtimin për në Tiranë, ku po mbahej protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ardhjes së Vuçiç.

Kujtojmë se një ditë më parë, Berisha mblodhi mbështetës të tij nga Shqipëria dhe Kosova duke kundërshtuar “Ballkanin e Hapur”, pasi sipas tij, pas Vuçiç qëndron influenca ruse e presidentit Vladimir Putin dhe se Rusia është rrezik për stabilitetin në Evropë.

Gjatë ditës së djeshme u dogjën edhe flamuj serbë, si shenjë proteste kundër ardhjes së Vuçiç në Tiranë, ndërsa u arrestuan dy persona dhe u vunë nën hetim gjashtë të mitur.Pas situatës së tensionuar presidenti serb u prit në kryeqytet nën masa të rrepta sigurie, për të parandaluar trazira.

Kujtojmë se takimi i fundit në kuadër të nismës “ Open Balkan” u mbajt më 4 nëntor në Beograd, ku liderët konfirmuan edhe njëherë premtimin se nuk do të ketë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se ata do të mund të lëvizin lirisht në të tre vendet.

Nisma për bashkëpunim rajonal është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE. Megjithatë kësaj nisme nuk po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina. Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, mendon se iniciativa e kësaj nisme, sipas tij “mini-Shengen” është nismë pa vizion për rajonin./tch/