75 Mall Live Search
16:05 / E Premte, 22 Tetor 2021 / MSH

“Ballkani Përtej Kufijve” vjen në Prishtinë

Festivali i Filmit të Shkurtër BBB, pas një udhëtimi njëmbëdhjetëvjeçar në Evropë, vjen në Prishtinë për Edicionin e 12-të me titullin ‘Lëkura në (Ekran në) Lëkurë’.

Festivali do të zhvillohet nga e enjtja, 28 tetor, deri të dielën, 31 tetor, në Kino Armata, njofton Komuna e Prishtinës.

Frymëzuar nga çështja e komunikimit që u sfidua përmes pandemisë, festivali do të shfaqë një Program Konkursi prej 33 filmash të shkurtër të cilët përfaqësojnë kineastët e rinj ballkanikë.

Juria Ndërkombëtare e festivalit përbëhet nga Burcu Biricik, aktore turke, Luana Bajrami, aktore/regjisore franceze nga Kosova, si dhe Drita Lolla, drejtore e Festivalit të Filmit në Mal të Zi.

Kineastët pjesëmarrës do të kenë mundësinë të shpërblehen me Çmimet: Çmimi më i mirë BBB, Hyrja e Parë, Publiku dhe Përmendje Speciale.

Shuma totale e Çmimeve shkon deri në 1.800 €.

Për më tepër, tre shfaqje speciale do të përfshijnë programin e shfaqjeve: “BBB Fokus- Hungari”, “BBB Përtej” (Programi Ndërkombëtar) dhe BBB & co: Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë dhe festivale të tjera partnere.

Publiku dhe palët e interesuara të ftuara do të kenë mundësinë të bashkohen me ngjarjet paralele të festivalit si: ‘BBB takon Femrat Cine-Ballkanike’, një ngjarje paralele e rrjetëzimit dhe ndarjes së përvojës dhe “Gala e Kurioziteteve”, pjesë e projektit ECHO II “Traditat në Tranzicion”, bashkëfinancuar nga Evropa Krijuese, e përbërë nga ekspozita dhe diskutime artistike.

Festivali i Filmit të Shkurtër BBB udhëton nga qyteti në qytet dhe krijon frymëzim përmes tematikës së tij të ndryshme çdo vit.

I përkushtuar ndaj qëllimit të tij, BBB sfidon bashkëkohësinë duke motivuar të rinjtë që të përdorin krijimtarinë e tyre, ai thyen stereotipet e vazhdueshme për atë që është dhe çfarë nuk është “ballkanik” dhe siguron një terren të hapur për shprehje të lirë dhe zgjidhjen e problemeve.

Të gjithë pjesëmarrësit bëhen pjesë e një qendre të rrjeteve kulturore e cila i ndihmon ata për bashkëpunimet e ardhshme.

Festivali mbështetet nga Creative Europe dhe Komuna e Prishtinës dhe bashkëpunon me një numër të madh të organizatave kulturore dhe rinore në rajon.