Ballkani shkruan HISTORINË, skuadra e parë kosovare që arrin fazën e grupeve në gara evropiane

Skuadra kosovare KF Ballkani ka shkruar historinë duke u bërë ekipi i parë nga Kosova që arrin fazën grupore të një gare evropiane, prej se ekipet tona luajnë aty.
Ballkani ka arritur që të shënojë fitore edhe në ndeshjen e dytë ndaj Shkupit, kësaj radhe me rezultat 1-0, duke bërë një arritje historik, pasi është kualifikuar për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Shkupi e nisi shumë keq ndeshjen, pasi në minutën e dytë Abudul Xhelili u ndëshkua me kartonë të kuq, pasi si lojtar i fundit ndali sulmuesin Albion Rrahmani.

Rastin më të mirë në pjesën e parë e kishte Ermal Krasniqi i cili i vetëm me Kristijan Naumovski, nuk arrin të shënojë, pasi që portieri mysafir mbron.
Skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë për tu kthyer në aksion pas 15 minutash.

Edhe në fillimin e pjesës së dytë Ballkani ishte më i rrezikshëm, ku Armend Thaqi dhe Lumbardh Dellova kishte raste të mira, por nuk gjetën portën.
Goli i fitores erdhi kur Albion Rrahmani me disa lëvizje futet mirë në mbrojtjen e shkupjanëve, duke i çorientuar të gjtihë dhe me një pasim gjen Meriton korenicën që shënoi për 1-0.

Deri në fund Ballkani lëshoi edhe disa raste me Thaqin dhe Krasniqin, por rezultati nuk ndryshoi.
Në fund mbi 13 mijë shikues në Fadil Vokrri festuan fitoren e Ballkanit dhe arritjen e tyre historike.
