09:44 / E Diele, 02 Prill 2023 / LB

Balotazhi/ Mali i Zi voton sot për zgjedhjen e presidentit

Në Mal të Zi sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku në garë mbetet presidenti aktual i vendit Millo Gjukanoviq nga partia DPS dhe kandidati nga Lëvizja Evropa tani (PES), Jakov Millatoviq.

Gjukanoviq 61-vjeç në raundin e parë fitoi 119.673 vota (35,37 për qind), kurse Millatoviq, 37-vjeç, mori 97.858 (28,92 për qind) të votave.

Dalja në zgjedhje gjatë raundit të parë ishte 64.06 për qind, ndërsa mbetet të shihet sot deri më sa do të shkojë.

Të drejtë vote në raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit të Malit të Zi, kanë i njëjti numër i votuesve dhe sipas listave nga qendra e komisionit zgjedhor thuhet se janë 542.154.

Mandati i presidentit është 5-vjeçar, kurse president i Malit të Zi shpallet ai që arrin të fitojë më shumë vota.