75 Mall Live Search
15:36 / E Enjte, 21 Tetor 2021 / k.v

Balotazhi në Drenas/ Elezi i VV-së: Nuk kemi ende asnjë qëndrim për këtë çështje

Me 14 nëntor, qytetarët e Drenasit do t’iu drejtohen edhe njëherë kutive të votimit. Ata do të zgjedhin mes dy emrave për kryetar të Komunës, Ramiz Lladrovcit të PDK-së dhe Driton Ajazit të DD-së.

Lëvizja Vetëvendosje e cila doli e treta në raundin e parë, ku kandidati i saj Fejzi Kiqina mori 3.757 vota apo 16.91% ende nuk ka vendosur se si do të veproi në balotazh.

IndeksOnline ka kontaktuar me kryetarin e qendrës së VV-së në Drenas, Shemsi Elezi i cili ka thënë se VV ka disa procedura tjera nga partitë tjera.

“Këshilli i përgjithshëm i VV-së duhet me marr vendime duke u koordinuar me neve me rekomandimin tonë se kah duhet orientuar. Ende ne nuk jemi në atë fazë, jemi duke u marrë më shumë me një pasqyrim të gjendjes reale që kemi, e me pas me fillu me diskutu për këtë çështje”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, iu duhet kohë me mendu dhe deri tani nuk kanë ndonjë qëndrim në lidhje më këtë çështje.

“Në fund është vullneti i anatarësisë dhe aktivistëve por edhe i qytetarevë që na kanë votuar”, është shprehur Elezi.

Në raundin e parë të mbajtur me 17 tetor, Ramiz Lladrovci arriti të marrë 10.134 vota apo 45.62% ndërsa kundërkandidati i tij Driton Ajazi ka siguruar 6.829 apo 30.74% të votave. Në këtë rezultat ende nuk janë përfshirë votat me kusht, ato të diasporës dhe të personave me nevoja të veçanta.

Lladrovci ka deklaruar se për balotazh nuk do të bëjë koalicion me asnjë subjekt politik po vetëm me qytetarin e Drenasit. Ai kështu kishte vendosur edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtur në vitin 2016 kur ishte në balotazh me Isa Xhemajlajn e Nismës.  

Në anën tjetër “Demokratët për Drenasin” dje pasdite kanë pasur një mbledhje për të analizuar situatën aktuale. Ndryshe nga Lladrovci ata nuk kanë vendosur vija të kuqe me asnjë subjekt sa i përket bashkëpunimit për balotazh./IndeksOnline/