Balotazhi në Suharekë, çfarë pozicioni do të mbajë PDK-ja?

Qytetarët e Komunës së Suharekës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit më 9 nëntor, pasi asnjëri nga kandidatët nuk mori mbi 50% të votave.
Balotazhi do të zhvillohet mes Bali Muharremajt të AAK-së dhe Ardian Shalës së LDK-së.
Por, çfarë pozicioni do të mbajë PDK-ja në balotazh?
Kandidati për kryetar të Suharekës nga ky subjekt, Dardan Berisha, ka thënë se ende nuk kanë vendim përfundimtar për këtë çështje.
“Do të konsultohemi me strukturat e PDK-së dhe me ekipin tonë në nivel lokal e qendror për të përcaktuar qëndrimin tonë zyrtar. Çfarëdo vendimi që do të marrim, do të jetë në interes të qytetarëve të Suharekës dhe në përputhje me parimet e PDK-së. Ne do të vazhdojmë të jemi zë konstruktiv dhe i përgjegjshëm për të ardhmen e komunës sonë”, ka thënë Berisha për IndeksOnline.
Ndërkaq, ai thotë se rezultati i arritur më 12 tetor, nuk është ai që e kanë pritur.
“Megjithatë, e pranojmë me përgjegjësi dhe e shohim si një mundësi reflektimi për të analizuar çdo hap të fushatës dhe për të dalë edhe më të fortë në të ardhmen. E falënderoj çdo qytetar që na ka dhënë besimin dhe çdo aktivist që ka punuar pa u lodhur gjatë gjithë kësaj periudhe. Ky rezultat është motiv për të vazhduar punën dhe për ta forcuar më tej Partinë Demokratike në Suharekë”, ka shtuar ai.
Berisha në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka fituar 9.29% apo 2 mijë e 164 vota./IndeksOnline/