16:22 / E Mërkurë, 27 Tetor 2021 / FG

Banda e italianëve kreu grabitjen më të madhe në Britani, njëri prej tyre dyshohet se fshihet në Serbi

Një hajdut i përfshirë në grabitjen më të madhe në Mbretërinë e Bashkuar ka pranuar se ka qenë pjesë e planit për të vjedhur para dhe bizhuteri me vlerë 26 milionë paund nga shtëpitë e personave të famshëm.

Jugoslav Jovanovic pranoi se ishte pjesë e një bande ndërkombëtare hajdutësh që kishin plaçkitur vilën në Kensington të 37-vjeçares Tamara Ecclestone, në atë që u konsiderua si grabitja më e madhe brenda kufijve të Mbretërisë së Bashkuar.

Vajza e ish-bosit të Formula 1, Bernie Ecclestone, ishte me pushime në Finlandë me bashkëshortin dhe vajzën kur nga banesa e saj u vodhën bizhuteri dhe para me vlerë 25 milionë paund, në dhjetor 2019.

Anëtarët e të njëjtës bandë vodhën sende me vlerë 50 mijë paund nga shtëpia e ish-kapitenit të Chelsea-t, Frank Lamp[ard, në Londër, si dhe sende me vlerë 1 milion paund nga shtëpia e pronarit të ndjerë të Leiceter City, Vichai Srivaddhanaprabha, e cila ishte kthyer si një mauzoleum pas vdekjes së tij në një incident me helikopter në vitin 2018.

Policia nuk ka arritur të rikuperojë asgjë nga sendet dhe paratë e marra në të tre grabitjet dhe beson se ato janë dërguar jashtë Anglisë.