16:57 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020

Banka Botërore: Kufizimi i korrupsionit gjatë pandemisë është më i rëndësishëm se kurrë

Banka Botërore përmes raportit më të ri ka bërë të ditur se progresi kundër korrupsionit mund të arrihet edhe në kushtet sfiduese e të vështira edhe pse  konstaton se në një kohë kur në përgjigje të pandemisë së COVID-19, po mobilizohen nivele fondesh të jashtëzakonshme, ky raport ofron një vështrim të ri mbi disa prej qasjeve dhe instrumenteve më efektive për forcimin e llogaridhënies shtetërore.

Raporti i titulluar “Rritja e efektivitetit dhe transparencës së qeverisjes: lufta kundër korrupsionit” përqendrohet në mënyrat se si mund të rritet efektiviteti i strategjive antikorrupsion në sektorët më të prekur. Ai shërben edhe si një udhëzues mbështetës për politikëbërësit dhe drejtuesit e luftës kundër korrupsionit, në një kohë kur nevojitet punë e mëtejshme për ta përmirësuar përdorimin e instrumenteve tradicionale.

“Pandemia e COVID-19 ka sjellë shpenzime të mëdha dhe të shpejta nga ana e qeverive për rigjallërimin e ekonomisë dhe për mbrojtjen e grupeve të varfra dhe të cenueshme, që i vuajnë edhe më shumë pasojat, Ndërsa vendet i kanë hyrë rrugës për një rimëkëmbjeje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përdorimi më i kujdesshëm e transparent i burimeve të kufizuara ka rëndësi kritike” – tha Mari Pangestu, Administratore e Bankës Botërore.

Ai ka thënë se progresi mund të arrihet në çdo mjedis dhe se janë të angazhuar për të punuar nga afër me partnerët në qeveri, në shoqërinë civile dhe në sektorin privat për t’i dhënë zgjidhje korrupsionit dhe pasojave të tij gërryese.

Pandemia e COVID-19 ka sjellë një nivel të lartë shpenzimesh të një natyre të jashtëzakonshme nga ana e qeverive, ndonjëherë pa qenë objekt i kontrolleve normale. Shpejtësia është e kuptueshme, por pa masat e duhura të kontrollit, kjo i ekspozon qeveritë ndaj një larmie rreziqesh nga korrupsioni, të cilat mund ta cenojnë efektivitetin e përgjigjeve të tyre.