09:32 / E Premte, 14 Korrik 2023 / S Z

Banka ProCredit në Kosovë hap parkun e vet fotovoltaik prej 3MW

Banka ProCredit përuroi, parkun e vet fotovoltaik ProEnergy në Lipjan, Kosovë. Parku fotovoltaik 3 MWp u nis dhe u implementua si projekt i përbashkët ndërmjet Bankës ProCredit në Kosovë, që siguroi edhe financimin, dhe kompanisë mëmë, ProCredit Holding.

Nëpërmjet këtij projekti, ProCredit synon të kontribuojë në ndryshimin e
peizazhit energjetik të Kosovës duke zhvilluar kapacitetet vendore dhe duke nxitur më tej investimet private të kësaj natyre.

Në të njëjtën kohë, projekti përfaqëson edhe një arritje me rëndësi për grupin ProCredit që është i orientuar drejt zhvillimit për të arritur neutralitetin ndaj karbonit, një synim drejt të cilit punohet në këtë institucion qysh nga viti 2018.
Parku fotovoltaik ProEnergy është parku i parë fotovoltaik në Kosovë në pronësi të një grupi bankar. Projekti, kostoja e të cilit ka qenë rreth 2.5 milionë Euro, u implementua nga kompanitë kosovare Jaha Solar dhe Electra.

Prodhimi i pritshëm vjetor i parkut diellor 3 MWp është 3,711 MWh, që është ekuivalente me shpenzimet e rreth 450 ekonomive familjare me konsum mesatar mujor të energjisë elektrike deri në 700 kWh duke i kontribuar kështu tranzicionit të energjisë në Kosovë. 90% e energjisë elektrike që u gjenerua në Kosovë në vitin 2022 erdhi nga termocentralët me linjit, që u shoqërua nga emetime të identifikuara të gazrave serrë dhe rreziqe ndaj shëndetit dhe mjedisit.


Projekti ProEnergy në Kosovë pasqyron orientimin e grupit ProCredit duke synuar t’i kontribuojë stabilizimit dhe transformimit mjedisor të vendeve ku vepron. Përtej Kosovës, ProEnergy është hap thelbësor për vetë grupin ProCredit drejt arritjes së synimeve të veta klimatike.

Që nga zotimi në vitin 2018 për t’u bërë neutral në aspektin e karbonit, grupi ProCredit ia ka dalë që pothuajse t’i përgjysmojë emetimet e veta. Parku fotovoltaik që u përurua në Kosovë, është në proces të certifikimit në përputhje me Gold Standard dhe energjia e pastër që ai prodhon do të ndihmojë dukshëm në shmangien e emetimeve në rrugën drejt dekarbonizimit.
Hubert Spechtenhauser, Kryesuesi i Bordit Menaxhues të ProCredit General Partner AG, i cili mbajti një fjalim në ngjarjen e hapjes, komenton: ”Si një grup bankar i orientuar nga zhvillimi, ne në ProCredit gjendemi në një pozicion unik që të kontribuojmë për tranzicionin energjetik.

Investimi ynë në parkun fotovoltaik ProEnergy në Kosovë thekson qartë
seriozitetin e qasjes sonë. Si grupi ProCredit, ne mirëpresim promovimin e mbrojtjes së klimës si dhe i këshillojmë dhe i mbështesin klientët tanë në planet e tyre të tranzicionit duke kontribuar kështu në avancimin e qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike”


Ndërkaq, Visar Paçarada, anëtar i bordit menaxhues të Bankës ProCredit në Kosovë përgjatë fjalimit të tij ndër të tjera theksoi: “Si bankë komerciale e orientuar drejt zhvillimit, ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi për të kontribuar në mirëqenien e komunitetit dhe mjedisit ku veprojmë.

Parku fotovoltaik prej 3MW ProEnergy ilustron përkushtimin tonë
për të kthyer fjalët në vepra dhe për t’u bërë një katalizator për ndryshim në shoqërinë tonë.
Shpresojmë që ky investim do të shërbejë si shembull dhe frymëzim për institucionet e tjera drejt investimeve të ngjajshme”.
E pranishme në ngjarje ishte dhe Eriola Bibolli, anëtare e Bordit Menaxhues të ProCredit General Partner AG dhe anëtare e Bordit të Drejtorëve të Bankës ProCredit në Kosovë, e cila shtoi: “Përurimi i ProEnergy është një ditë posaçërisht me rëndësi për grupin ProCredit duke qenë se ky është parku i parë i këtij lloji në pronësi të një grupi bankar në Kosovë.

Sot nuk po e hapim vetëm një park me panele diellore, sot po e hapim një të ardhme të pastër dhe të ndritur për Kosovën. Ky projekt është testament i asaj se çfarë mund të arrijmë kur kemi vizion të qartë për një të ardhme më të pastër.

Duke pasur parasysh mbizotërimin e termocentraleve me thëngjill për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, shpresoj që investimi ynë të frymëzojë ndryshime të mëtejshme pozitive në sektorin energjetik te vendit “.


Fjalën e nderit e kishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili vlerësoi punën e bërë. “Kontributi juaj është i rëndësishëm, sepse simbolizon rëndësinë e sektorit privat në të qenit në frontin e parë në luftimin e ndryshimeve klimatike, sepse shumica e investimeve duhet të vijnë nga sektori privat.

Le të jetë ky investim gjerman shembull se si kompanitë private duhet të punojnë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.”


Kerry Monaghan-Hogler- Ushtruese e detyrës së drejtorit të misionit të USAID në Kosovë poashtu uroj grupin ProCredit për arritjen duke theksuar rëndësinë e projekteve të tilla të cilat shërbejnë si një rikujtim se Kosova ka filluar rrugën e saj drejt dekarbonizimit.

Deri në fund të muajit mars 2023, kreditë e gjelbra përbënin 20.2% të portofolit të kredive të grupit ProCredit. Kjo përfaqëson në total 1.2 miliardë Euro në kredi të destinuara për investime në efiçiencë të energjisë, energji të ripërtëritshme apo investime të tjera të gjelbra.
Një e treta e këtyre kredive të dhëna, shkojnë për projekte të energjisë së ripërtëritshme.


Deri më 31 mars 2023, rreth 370 milionë Euro kanë shërbyer për të financuar 1,370 investime fotovoltaike. Rreth 1,000 e këtyre investimeve fotovoltaike përfaqësojnë instalime nga ndërmarrje të vogla dhe të mesme ose nga individë, ndërkohë që pjesa tjetër janë pjesë e iniciativave të financimit të projekteve.


Kreditë e gjelbra mbeten në fokus të bankë ProCredit dhe grupit. Përqindja aktuale e këtyre kredive në totalin e portfolios pritet të rritet në 25% në afat të mesëm.
Informata më të hollësishme për strategjinë e qëndrueshmërisë dhe Raportin e Ndikimit të grupit ProCredit mund të gjenden në uebfaqen https://www.procreditbank-kos.com/shq/rreth- nesh/etika-e-biznesit/

Për detaje shtesë rreth parkut fotovoltaik ProEnergy vizitoni uebfaqen:
https://www.procreditbank-direct.com/kosovo/ksv/landing/ProEnergy