75 Mall Live Search
20:34 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Banorët e Çikatovës së Vjetër përplasën me Ferronikelin për tokën me xehe

Banorët e fshatit ‘Çikatovë e Vjetër’ në Drenas po pretendojnë se tokat e tyre private i janë falur Fabrikës Ferronikel. Ata dje kanë dalë në zonën kadastrale ‘Çikatovë e Vjetër’ për të ndaluar që makineritë e Ferronikelit të futën aty dhe të marrin xehe, pasi sipas tyre, nuk ka marrëveshje që dëshmon se ato prona janë paguar apo janë kompensuar, as edhe një pëllëmbë tokë. Mirëpo, ndryshe deklaron Komuna e Drenasit. Në një përgjigje të tyre për Indeksonline, ata janë shprehur se ajo pronë është shpronësuar në vitet e 70-ta, çka pronat janë regjistruar në emër të kësaj kompanie dhe janë tërësisht valide. E  banorët fshatit ‘Çikatovë e Vjetër’ padrejtësisht thonë pronat e tyre po u merren nga Fabrika Ferronikel për t’i shfrytëzuar xehet e tokës, pa marrëveshje paraprake dhe pa u paguar asnjë cent. Sipas tyre, toka që po kërkohet nga fabrika nuk është e kompensuar dhe se komuna po ua falë Feronikelit.

Ardian Morina, pronar i tokës prej 5 hektarë në këtë zonë kadastrale për Indeksonline ka thënë se nuk ka asnjë dokument a dëshmi që ato toka janë paguar nga Ferronikeli.

“S’ka as dokument a dëshmi që i ka pagu tokat Ferronikeli. Dokumentet personale na që i kemi prej vitit 1991 e deri në vitin 2014, toka është e pa paguar, pasi ende nuk kemi arritë marrëveshje me Ferronikelin për t’i paguar ato prona apo për t’ i kompensuar. Komuna është tu bo presion të banorët, sepse nuk ka kurrfarë dokumenti. Sepse asnjë pronë që po kërkohen tash nga komuna nuk janë paguar. Këtu janë disa mënyra ligjore që po shkelën. E para, na jemi dy subjekte private, banorët edhe kompania, që domethënë komuna nuk ka nevojë me ndërhy në pronat tona. E dyta, nuk janë kompensuar asnjë pronë, të cilat po kërkon komuna t’i merr me dhunë për t’ia falur Ferronikelit. E treta, nuk ka dëshmi që kanë bë marrëveshje, sepse komuna po thotë që janë paguar pronat, janë të fabrikës, por pa dëshmi”, ka thënë Morina.

Sipas tij, kur në vitet e 70-ta toka e ‘Çikatovës së Vjetër’ u është dhënë Ferronikelit në atë kohë në Ish-Jugosllavi, ato të kompensuarat janë bërë rrafsh nga gërryerjet, ndërsa ato të pakompensuarat nuk i kanë prekur.

Por, sipas tij, tani dëshirojnë t’i marrin pa i paguar. “Me 27 maj të vitit 1977 u shpallë toka e Çikatovës së vjetër, si tokë që i duhet Ferroneikelit në Ish Jugosllavi. Ato të kompensuarat janë bërë rrafsh. Për këto që nuk ka arritë marrëveshje deri me 2014, nuk i kanë prek, sepse nuk janë pronë e tij dhe as nuk janë paguar. Na i kem dokumentet që 12 vjet në bisedime, por që nuk është arritur asnjë marrëveshje mes pronarët e tokave dhe menxahmentit”, ka thënë ai.


Ai ka treguar se gjatë kësaj kohe i kanë lejuar të bëjnë shpuarje të tokës dhe për këtë janë paguar.

“Na i kemi lejuar me bë shpuarje të tokës, jemi punësuar në emër të tokës. I ka paguar të gjitha shpuarjet që janë bërë në tokat tona, edhe rremat e lisave që janë dëmtuar i kanë paguar. Mirëpo, tash po na thonë merrni lisat se tokat është e paguar. Paradite me i pre lisat e masditë me nxjerr xehe prej aty. Asnjë kompensim nuk është bërë për to. Që tri herë vinë me policinë, nuk janë ardh asnjëherë me ndonjë dokument apo hartë të njëjtë. Si kemi lejuar në pronat tona me hy, që nuk janë paguar. Po manipulojnë me harta, se asnjë nuk janë të kompensuara. Nuk ka dëshmi. Nuk kanë arritë marrëveshje asnjëherë me neve” ka thënë ai.

Ndërsa, ka theksuar se do të vazhdojnë të mbrojnë tokat e tyre, pasi i kanë trashëgim familjar.

“Ne jemi kanë në bisedime që 12 vjet me menaxhment për me i shit pronat, po Ferronikeli i Luhatshëm, ka pas kriza dhe nuk e ka ble, se me i pas ble, atëherë ish ardh i kish marrë e kish punua me të. Po, po donë me i marrë me xehe me lisa, pa u kompensua, asnjë pëllëmbe tokë deri në ditën e sotme. Na jemi duke i mbrojtur tokat e stërgjyshërve dhe deri në vdekje do t’i mbrojmë edhe anëtari ma i vogël i shtëpisë do të del dhe do t’i mbrojë, se është trashëgim familjar, është tokë e shenjët”, ka përfunduar ai.

Mirëpo, Komuna e Drenasit thotë se kur fabrika është ndërtuar në aparatin kadastral, toka figuron në emër të Ferronikelit. Në një përgjigje elektronike për Indeksonline, zyrtarë nga kjo komunë kanë deklaruar se Komuna nuk u ka falë prona askujt.

“Së pari, pronat nuk i ka fal Komuna ndërmarrjes së Ferronikelit dhe nuk ka kaluar përmes Kuvendit Komunal, përveç kohës kur është bërë shpronësimi i pronave për ndërtimin e objektit të Ferronikelit në vitet e 70-ta”, thuhet në përgjigjën e komunës.

Tutje, në përgjigjën e tyre kanë sqaruar se pronat në zonën kadastrale të Çikatovës së Vjetër janë regjistruar në emër të kompanisë ‘Ferronikel’ pas zhvillimit të procedurës së shpronësimit nga vitet e 70-ta. Pra, janë tërësisht valide.

“Siç e përmendem edhe më lartë, Komuna nuk i fal prona askujt, përveç kur behët shpronësimi për interesin e përgjithshëm publik për qytetarët të Komunës së Drenasit. Kurse për rastin e pronave të regjistruara ne operat kadastral të New Coo Ferronikeli në zonën kadastrale të Çikatovës së Vjetër, janë valide prandaj, sqarojmë se ato prona për nevojat e fabrikës së Ferronikelit janë të regjistruara ne emër të kësaj kompanie pas zhvillimit të procedurës së shpronësimit nga vitet e 70-ta e tutje”, theksojnë ndër të tjerash.

Komuna thotë se kur është bërë shpronësimi atë kohë, vet banorët nuk kanë pranuar kompensim. Ndërsa, theksojnë se tokat në këtë zonë të Drenasit janë të Ferronikelit. “

Shqetësimet e banorëve të këtij fshati qëndrojnë ne atë se kur është bërë shpronësimi për pronat e tyre nuk kanë pranuar kompensimin e ofruar nga ndërmarrja dhe kanë vazhduar me ankesa përmes Gjykatës. Banorët e fshatit Çikatovë e Vjetër deklarojnë se janë duke zhvilluar ankesë pranë Gjykatës për kompensim, por praktikisht nuk kanë paraqitur asnjë dokument valid në Komunë.

Komunën e Drenasit shënimet e nxjerra në aparatin kadastral janë valide dhe pronar legjitim të atyre pronave është Ferronikelit”, thuhet në përgjigjën e tyre. Ndërsa, Indeksonline ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga menaxhmenti i kompanisë, mirëpo, të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë. Ndryshe, banorët kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë nga pronat në Çikatovë. /Indeksonline/