75 Mall Live Search
19:50 / E Mërkurë, 08 Tetor 2025 / Z S

Banorët e Jezercit pa rrymë që disa ditë

Bora e rënë me 2 tetor shkaktoi dëme edhe në fshatin Jezerc në Ferizaj.

Prej të enjtes, ata kanë mbetur pa energji elektrike.

Pasi disa shtylla elektrike janë rrëzuar, ndërsa tela të dëmtuar shihen të kalojnë në mes tëpemëve.

E mungesa e energjisë elektrike po ju shkakton dëme të mëdha këtyre banorëve të fshatit.

Njëri nga ta u shpreh se dëmi po i’a kalon vlerën e 2000 euro.

“Na në fshatë përgatitemi, blejmë gjëra ushqimore për një javë, dhjetë ditë, dy javë. Se na nuk kemi kohë të dalim përditë se unë e kom edhe një tuf të dhive, tuf të pulave, gjelave të detit. Kështu që ndonjëherë e mbushim frizin me rezerva. Tash për tash gjitha i kemi qu domë dikun 300 kilogram, duke fillu nga turshit, mishra e sene. Na kanë shku domë për qenë javën që u nal rryma”, thotë, Bajram Maliq Beka.

Ai gjithashtu u shpreh se bagetinë të cilën e mban, po detyrohet ta mjelë në errësirë.

Ndërsa Fadil Hajdari, tregoi se ai së bashku me disa banorë janë detyruar të largojnë shtyllën elektrike e cila kishte bllokuar një nga rrugët në Jezerc.

“Në këtë pjesën këtu një shtyllë dje e kemi hek vetë. Gjashtë ditë ka qenë midis rrugës. I kemi edhe fotot. Unë ja kom  tregu edhe drejtorit. Kabllat vetëm i kanë vjerr ashtu napër lisa. Gjashtë ditëka qenë rruga e bllokuar. Është një kojshi aty është fermer edhe ushqimin për kafshë e ka bart me dorë s’ka mujt me dal prej shtyllës i kemi ndihmu na e kemi hek”, shprehet ai.

E sa i përket dëmeve, Hajdari thotë se pos dëmtimit të paisjeve elektrike janë detyruar të anulojnë rezervimet që ishin bërë nga klientat në biznesin që ka, raporton Teve1.

“Mu mas pari televizionin ma ka djeg, figoriferin e ka djeg edhe paisjet e tjera elektrike çka ka krejt. Çka kemi pas nëpër friza si banor krejt domë na i ka bo….Domë na ka bo edhe në biznes tash rezervimet që I kena pas, pak sa i kena i kena anulu shkaku i rrymes”, thotë ai.

E një tjetër banor thotë se të gjitha pajisjet elektrike në shtëpi po duhet t’i bëjë me përforcues.

“Që një javë po bohet na jemi pa rrym. Unë me friz me çka kom krejt qenit duhet me ja qitë se nuk hahen ato, krejt jonë prish…Kjo katastrof është e kahershme na jemi gjithë pa rrym. Bile me shku në shtëpi as një senë unë se kom pa përforcues. Me televizion e ka përfucuesin, maqina e lamjes, maqina e enëve, çdokund e kom ka një përforcues” , shprehet Mehdi Hajdari .

Nga kompania KEDS, thanë se dëmet kanë qenë të mëdha, por ekipet janë duke punuar dhe presin që problemi të rregullohet së shpejti.

“Meqë bëhet fjalë për dëme goxha të mëdha, sanimi i tyre po merr kohë. Ekipet e KEDS-it janë vazhdimisht në terren dhe, që nga ajo ditë, falë intervenimeve të vazhdueshme të tyre, konsumatorët e afektuar nga këto prishje po rikyçen gradualisht.Nëse gjithçka shkon për së mbari në terren, besojmë se gjatë ditës së sotme të gjitha këto dëme të sanohen dhe konsumatorëve të afektuar do t’u rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike”, ka thënë zëdhënsi Lulzim Krasniqi.

Ndërkohë bora e rënë me dy tetor ka shkaktuar dëme në rrjetin shpërndarës, në disa fshatra por që KEDS ka lajmruar se janë duke u marr me rregullimin e këtij problemit.