10:39 / E Enjte, 25 Mars 2021 / OSH

Banorët e Karaqevës i shkruajnë letër Kurtit e Konjufcës, kërkojnë zgjidhje të problemeve

Kryetar i Bashkësisë Lokale, Selver Lenjani, i ka dërguar një letër publike dje, kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Galuk Konjufca, lidhur me problemet që po përballen tashmë 20 vjet, shkruan IndeksOnline.

Banorët e Karaqevës së Poshtme, në Kamenicë, janë të zhgënjyer me moszgjidhjen e problemit të hyrjes së forcave paramilitare e të xhandarmërisë serbe.

Në këtë letër, ata shprehen të shqetësuar edhe për mbylljen e 15 shkollave, ku u është ndërprerë mësimi i 548 nxënësve.

Kjo është letra në vazhdim:

Po i drejtohemi kryeministrit dhe kryeparlamentarit.

Letër e hapur nga Bashkësia Lokale e fshatit Karaqevë e Poshtme K.Kamenicë .

Ne banorët e brezit kufitar po ju njoftojmë përmes këtij shkrimi si Bashkësi Lokale, se banorët e brezit kufitar jemi të zhgënjyer tejmase me problemet të cilat ballafaqohemi çdo ditë, çdo muaj, çdo vit me hyrjen e forcave të paramilitare e të xhandarmërisë serbe etj.

Ky problem është shfaqur te ne që nga viti 2001 dhe ende vazhdon.

Është i vetmi problem që ballafaqohemi qe 20 vjet të plota duke protestuar shumë herë, duke njoftuar të gjitha qeveritë që kanë qenë, por askush nuk na mori parasysh.

Por as Kuvendi e as kryetarët e parlamentit nuk janë marrë asnjëherë me këtë problem. Vetëm ne banorët kemi qenë të zëshëm për ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial të Republikës së Kosovës në këtë brez kufitar që vazhdimisht jemi të rrezikuar nga shteti okupues – Serbia.

Edhe pse vazhdimisht kemi kërkuar nga institucionet, presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri, por nuk janë marrë fare me këtë problem të banorëve.

Presim nga Qeveria e Kurtit që urgjentisht të merret me këtë pjesë të brezit kufitar-Karaçevën.

Problemi numër 2 që i adresohet Qeverisë është mbyllja e 15 shkollave. Në mesin e 15 shkollave është edhe shkolla e brezit kufitar në Karaçevë që ka mbi 100 nxënës.

Tani po i numëroj mbi 15 shkollat janë mbyllur:

1.SHF “Asllan Thaçi”-Karaçevë e Poshtme.

2.SHF – Busavatë

3.SHF – Petroc

4.SHF- Shipashnicë e Poshtme

5.SHF – Kopërnicë

6.SHF – Tugjevc

7.SHF – Sfircë

8.SHF – Strezoc

9.SHF – Krilevë

10.SHF – Desivojcë

11.SHF- Lisockë

12.SHF – Dajkoc

13.SHF – Poliçkë

14.SHF – Dazhnicë

15.SHF – Velegllavë

16.SHF – Kranidell

etj.

Me këto reforma që ka marrë kreu i Komunës Qëndron Kastrati me mbylljen e shkollave, të marrin dhe t’i shpërndajnë nxënësit në lokalitetet e tjera ku të gjitha shkollat në këtë komunë i plotësojnë të gjitha kriteret për mbarëvajtjen e mësimit ku edhe personeli arsimor i ka plotësuar gjitha kushtet.

Të nderuara institucione të Kosovës, kryeministër z.Kurti, kryeparlamentar z.Konjufca dhe ministër i Arsimit dhe gjithë delegatë të Kuvendit, ngriteni zërin për hapjen e këtyre shkollave dhe t’ia rikthejmë buzëqeshjen tërë Komunës dhe mbi 548 nxënësve që nuk vijojnë mësimin.

Mbyllja e këtyre shkollave është antikombëtare, antiligjore, ky gjest famëkeq që na ka ndodhur ne.

A ka më keq se sa të privohet e drejta e nxënësit për t’u shkolluar në lokalitetet e tyre?

Në këtë pjesë të Kamenicës kërkojmë që nxënësit të mos privohen nga e drejta e shkollimit dhe ne kërkojmë të drejtat që janë të garantuara shkollat fillore me ligj dhe me Kushtetutë.

Kthehuni kah problemet e Karaçevës dhe t’i merrni seriozisht këto probleme,që t’i hapni shkollat.

Dhe duam që të kërkoni nga kreu i Kamenices, Qëndron Kastrati, që ta merrni vendimin e prerë dhe të urdhëroni për hapjen e shkollave.

I nderuari kryeministër Kurti,

Qëndron Kastrati është zgjedhur nga partia juaj si kryetar i Komunës sonë.

Ne nuk do lëmë gur pa lëvizur deri në realizimin e këtyre kërkesave. Vazhdimisht do ju kërkojmë këto kërkesa.

Ne ju ftojmë që të dilni edhe ju në brezin kufitar-Karaçevë dhe t’i shihni problemet tona.

Shpresa jonë e vetme te ne, jeni ju !

Duam që kjo kërkesë të na kthehet pozitivisht.

Me respekt:Bashkësia Lokale-Karaçevë e Poshtme

Kryetar i Bashkësisë Lokale, Selver Lenjani