10:35 / E Enjte, 02 Korrik 2020

Banorët e Kçiqit të Madh, në hall nga ujërat e zeza

Banorët e fshatit Kçiq i Madh i Komunës së Mitrovicës, ankohen për ndotjen e madhe nga ujërat e zeza të cilat kalojnë afër shtëpive ku jetojnë banorë të shumtë.

Kanalet e hapura me ujëra të zeza i kanosin ndër vite banorët duke ua dëmtuar edhe tokat bujqësore. Duke pasur parasysh që shëndeti i njeriut duhet të jetë prioritet, Komuna e Mitrovicës nuk ka marrë masa për ta mënjanuar ndotjen që shkaktohet nga ujërat e zeza në këtë zonë.

Sot, në kohë pandemie këto kanale të hapura me ujëra të zeza sipër, janë frika më e madhe e banorëve të këtij fshati. Ata prej vitesh kanë bërë intervenime të vazhdueshme dhe përpjekje për të sanuar sado pak këtë vatër infeksioni, mirëpo mungesa e trajtimit adekuat ka rezultur që ky problem kërkon intervenim institucional e profesional.

Njëri nga banorët e këtij fshati thekson se gjatë mbrëmjes nga këto kanale avullojnë kundërmime të rënda, që njeherit ndikojnë edhe në shëndetin e komunitetit dhe fëmijëve në veçanti.

Duke kujtuar që fshati Kçiq i Madh është fshati më i madh në Komunën e Mitrovicës, investimet në këtë fshat nuk i kanë përmbushur kërkesat elementare të banorëve.

Me gjithë kërkesat eë bëra, ndër to:

– Rregullimi i ujërave të zeza

– Ndriçimin publik

– Vendosja e policëve rrugorë

– Asfaltimi i disa rrugëve, etj. ende nuk është bërë ndonjë hap konkret nga Komuna e Mitrovicës.

Nga këto pakënaqësi, sidomos nga rreziku i ndotjes së madhe, banorët kanë vendosur të ndërmarrin disa hapa konkretë, duke mos e përjashtuar edhe protestën para institucioneve lokale.

Mos i humb