13:13 / E Enjte, 29 Gusht 2019 / indeksADMonline

Koretinasit protestojnë kundër ndotjes së lumit Krivareka, nga ujërat e zeza

Për herë të tretë banorët e fshatit Koretin kanë protestuar kundër rrjedhës së ujërave të zeza të Kamenicës në lumin Krivareka, i cili kalon midis këtij fshati.

Këta banorë ankohen se për shkak të kutërbimit të madh dhe ndotjes së lumit po rrezikohet shëndeti i tyre.

Protestuesit në mënyrë simbolike kanë tentuar ta mbyllnin njërën nga burimet e ujërave të zeza në lumin Krivareka, duke hedhur dhe në lumë, derisa thanë se nuk do t’i ndalin protestat deri në ndërprerjen e rrjedhës së kanalizimit që vjen nga qendra e Komunës së Kamenicës dhe që derdhet në këtë lumë.

Përmes pankartave “E duam Koretinin të pastër!”, “Nuk e durojmë ndotjen!”,’ “Stop helmimit të fshatit!”, ata dërguan mesazhet e tyre se duan ndaljen e rrjedhës së ujërave të zeza në lumin Krivareka, i cili kalon në fshatin Koretinë të Kamenicës.

 Kryetari i Këshillit lokal të fshatit Koretinë, Sejdi Kurteshi, tha se ka vite që i gjithë kanalizimi i qytetit të Kamenicës derdhet në lumin që kalonin në fshatin e tyre dhe kjo ka krijuar një situatë shqetësuese për banorët.

Kurteshi deklaroi se ata sot për herë të tretë janë duke protestuar kundër kësaj ndotjeje të lumit Krivareka dhe se nuk do të ndalen deri në ndërprerjen e fekaleve që të mos kalojnë pranë fshatit të tyre.

Ai ka shprehur gatishmërinë e banorëve të fshatit për të participuar me qëllim që kjo situatë të tejkalohet

“Qëllimi i kësaj proteste është ndotja e lumit nga qyteti i Kamenicës të cilët e kanë bartur kanalizimin prej daljes së qytetit dhe në fillim të lumit e lëshojnë kanalizimin dhe kjo protestë është për të larguar këtë ndotje qe është duke e shkaktuar. Në mbrëmje aromat e shkaktuara nuk mund të jetojnë banorët është hera e tretë që dalim kemi pas premtime por asnjëherë nuk është ndërmarrë sot jemi më të organizuar dhe kemi vendosur së bashku më banorët me e mbyll kanalizimin sepse sa kanë të drejtë ata aq kemi të drejtë ne me e mbrojtë vetveten”, tha ai.

Kundër rrjedhës së fekaleve pranë lumit që rrjedh afër shtëpisë së tij është shprehur edhe imami i xhamisë së fshatit Koretinë, Fehmi Leci, i cili tha se për shkak të ndotjes së lumit nga ujërat e zeza ata nuk po mund as t’i hapin dritaret nga aroma e rëndë. Sipas tij as ujin e puseve nuk po mund ta përdorin për pije pasi që është i ndotur.

 “Lumi është shumë i ndotur nga ujërat e zeza, vërtetë jeta është shumë e rëndë dhe e vështirë. Unë banoj shumë afër lumit e kam shtëpitë nuk kam mundësi as në oborr të shtëpisë të dal, është vështirë rrugës me kalua dhe as dritaret nuk mund t’i hapim për freskim për arsye sepse kundërmon erë shumë e rëndë… Ne kemi bunarin e kemi pusin por nuk e shfrytëzojmë për arsye se është i ndotur atë e përdorim vetëm për pastrim të rrobave gjërave tjera të thjeshta kurse për pije marrim nëpër viset malore”, tha imami i xhamisë sa Koretinit.

Se është vështirësuar jetesa në këtë fshat për shkak të derdhjes së ujërave të zeza në lumin Krivareka e thotë edhe banori tjetër Musë Ademi i cili thekson se era e keqe nga ujërat e zeza në lumin Krivareka po ua rrezikon shëndetin.

 “Jetojmë afër 30 metra afër kësaj ndotje tepër e rëndë e cila na mundon shumë. Vetë pamje tregon dhe protesta se kemi pakënaqësi të ndryshme tejet të mëdha… Ujëra e zeza, plehrat e kanë bërë të vetën sa që çdo ditë nuk ka familje që nuk lajmërohet tek mjeku për shkak të fytit apo mushkërive nuk ka fëmijë që nuk merr ndonjë medikament apo medikament. Pra edhe kështu si është gjendja e varfër na u ka bërë edhe kjo sëmundje sikur kolera e hatashme për shëndetin e njerëzve”, tha Ademi.

Lidhur me këtë problem në Komunën e Kamenicës thonë se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të rregulluar këtë çështje dhe se janë duke kërkuar ndihmë edhe nga niveli nacional në këtë aspekt.

 Margarita Rushiti zëdhënëse e Komunës së Kamenicës i ka thënë KosovaPress-it se Komuna e Kamenicës e mbështet këtë protestë, por që si komunë nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim pasi nuk kanë buxhet. Ajo tha se kanë kërkuar ndihmë nga disa organizata ndërkombëtare që merren me ujërat e zeza po që kanë marrë përgjigje negative. Ndërsa sipas Rushitit Kamenica për projektin e ujërave të zeza ka marrë përgjigje pozitive nga niveli qendror.

“Që nga fillimi i vitit 2018 kemi punuar jashtëzakonisht shumë me analiza të se çka duhet të veprojnë apo të ndërmarrim dhe kostoja e trajtimit të ujërave të zeza ka dal të jetë diku 18 milionë euro fatkeqësisht komuna e Kamenicës ka buxhet të pamjaftueshëm ta trajtojë problemin e ujërave të zeza ndërsa ligjërisht nuk mund ta trajtojmë vetëm problemin e Koretinit kemi kontraktuar shumë organizata ndërkombëtare që merren me trajtimin e ujërave të zeza por që nuk kemi marr ndonjë përgjigje pozitive…..gjithashtu jemi drejtuar me kërkesa ministrisë për Integrime Evropiane, Zhvillim Ekonomik, ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për të parë mundësitë nëse ky projekt i Kamenicës do të mund të hyjë në projektet nacionale do ketë prioritet dhe për këtë kemi marrë përgjigje pozitive”, tha ajo.

Sipas saj Komuna e Kamenicës ka kërkuar ndihmë edhe nga Banka për Zhvillim për zgjedhjen çështjes së ujërave të zeza të Kamenicës.

Kujtojmë që banorët e Koretinit të Kamenicës kanë protestuar edhe të hënën dhe të martën, duke kërkuar ndërprerjen e ujërave të zeza në lumin Krivareka i cili kalon pranë fshatit të tyre.