75 Mall Live Search
23:16 / E Shtunë, 19 Mars 2022 / OSH

Banorët e Mariupolit po dërgohen dhunshëm në Rusi

Banorët e Mariupolit po dërgohen në territorin rus nga forcat ruse kundër vullnetit të tyre, thuhet në një deklaratë të Këshillit të Qytetit të Mariupolit, raporton CNN.

Qyteti ukrainas është duke u përballur me sulme të shumta nga forcat ruse.

“Gjatë javës, mijëra banorë të Mariupolit janë dërguar në territorin rus. Okupuesit ilegalisht i kanë marrë njerëzit nga qarku Livoberezhny dhe nga strehimorja në ndërtesën e klubit të sporteve, ku po strehoheshin mijëra gra dhe fëmijë nga bombardimet e vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Qytetit.

Banorët e Mariupolit që janë kapur janë kontrolluar fillimisht nga forcat ruse dhe më pas janë dërguar për në qytete të largëta në Rusi.

“Ajo që po bëjnë okupuesit sot është mjaft e njohur për gjeneratat më të vjetra, që kanë parë ngjarjet e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore, ku nazistët me dhunë kapnin personat. Është e vështirë të imagjinosh se në shekullin e 21-të njerëzit me dhunë mund të dërgohen në një shtet tjetër”, ka thënë kryetari i Mariupolit, Vadym Boichenko.