Banorët e një fshati të Dragashit kundërshtojnë ndërtimin e një fabrike, thonë sepse paraqet rrezik për shëndetin!

Banorët e fshatit Shajne të Dragashit kanë dalë kundër ndërtimit të një fabrike, sic thonë ata kancerogjene.
Faqja e këtij rajoni, “Gjithcka rreth Dragashit” ka publikuar reagimin e banorëve të kësaj ane.
Më poshtë, e plotë:
Ne, banorët e fshatit Shajne, shprehim indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj planit për ndërtimin e fabrikës së shkrirjes dhe përpunimit të xeheve në zonën tonë. Ky projekt i dëmshëm, i iniciuar nga pushteti lokal, paraqet rrezik serioz për shëndetin e banorëve dhe për ambientin e pastër të Sharrit.
Nuk do të lejojmë që interesi i një grushti njerëzish të shkatërrojë jetën dhe të ardhmen e banorëve të Shajnes dhe të zonës përrreth. Tymi, mbetjet toksike dhe ndotja e ujërave përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin e fëmijëve tanë, bujqësinë dhe turizmin – pasuritë më të mëdha të vendit tonë.
Ne e bëjmë të qartë: ky projekt nuk do të kalojë! Do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet, ligjore e jashtëligjore, sepse nuk mund të lejojmë që vendi ynë i jetueshëm të shndërrohet në një zonë të helmuar për përfitime të individëve të papërgjegjshëm. Nëse propozimi nuk tërhiqet menjëherë, banorët e Shajnes do të organizohen dhe do të marrin masa konkrete për ta ndaluar këtë fabrikë me çdo kusht. Askush të mos guxojë të injorojë vullnetin tonë, sepse pasojat do të jenë të pashmangshme!
Ftojmë të gjithë qytetarët, shoqërinë civile dhe këshilltarët komunalë të tregojnë përgjegjësi dhe ta ndalin këtë krim ambiental dhe shëndetësor para se të jetë vonë!