Banorët protestojnë kundër vendosjes së laurës në Grykën e Rugovës
Vënia e gurthemelit të një laure (rampa) në Grykën e Rugovës, ka bërë që shumë qytetarë të kësaj të dalin dhe ta kundërshtojnë.
Ndërtimi i kësaj laure, do t’i obligoj të gjithë qytetarët që të paguajnë për të hyrë në Grykën e Rugovës.
Por, banorët e Pejës po e kundërshtojnë, duke e quajtur të papranueshme vendosjen e saj pa asnjë debat publik.
Siç shihet në këto foto të dërguara nga një dëshmitar në Indeksonline, qytetarë të shumtë kanë dalë dhe po e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Ata kanë vendosur blloka të ndërtimit, thasë çimentoje dhe zallë duke penguar punimet në ndërtimin e kësaj laure.

Banorët kanë paralajmëruar se nëse nuk ndalet puna në ndërtimin e saj dhe nëse institucionet nuk konsultohen paraprakisht me banorë, atëherë përmes shoqërisë civile do të ndërmarrin të gjitha masat për të ndaluar këto veprime jo-transparente.
Ndërsa, Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri përmes një shkrimi në facebook ka arsyetuar vendosjen e laurës , duke thënë se ka për qëllim ndalimin e prerjes ilegale të pyejeve.
“Laura (rampa) që po ndërtohet në gryken e Rugovës ka për qëllim ndalimin e prerjes ilegale të pyjeve. Asnjë taksë dhe pengesë tjetër në dëm të lëvizjes së qytetarëve nuk është e autorizuar dhe nuk pranohet nga komuna. Çdo vendim që prekë interesat e banorëve dhe ambientin do të mirret në konsultim me qytetarët e komunës së Pejës e sidomos me banorët e trevës së Rugovës”, thuhet në shkrimin e tij./Indeksonline/
