75 Mall Live Search
21:37 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / Z S

Baraliu: Aktgjykimi i Gjykatës në shkelje të vetë Kushtetutës

Duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin, profesori universitar i së drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se ky vendim përveçse kontradiktor e i paqartë është edhe në shkelje të vetë Kushtetutës së Kosovës.

Baraliu tha për RTV21 se me vendimin e saj në të cilin konstatoi se propozimi për nënkryetarin serb të Kuvendit duhet të bëhet nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, gjykata sipas tij në një formë i ka dhënë një lloj vetoje të padeklaruar Listës Serbe.

“Në radhë të parë është vendim kontradiktor, madje kontradiktor edhe me vendimet e mëparshme të gjykatës, është i paqartë është i tillë që nuk jep zgjidhje përfundimtare se cka nëse nuk votohet nënkryetari serb. Është edhe fatkeqësisht në shkelje të vetë Kushtetutës së Kosovës në pikën ku thotë që kandidati për nënkryetar i komuniteti serb mund të propozohet nga grupi më i madh gjegjësisht nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti që i bie nga Lista Serbe dhe kjo në një mënyrë apo tjetër e valorizon ose ngërthen një lloj vetoje fatkeqësisht të padeklaruar…Ky formulim është edhe në kundërshtim me paragrafin 4 të nenin 67 të Kushtetutës dhe pamundëson diskriminon pjesëmarrjen në demokraci të subjekteve të tjera politike gjegjësisht qytetarëve tjerë serbë që nuk janë në Listën Serbe në këtë rast partinë e Rashiqit ose ndonjë tjetër. Më fjalë të tjera ky aktgjykim është në shkelje të vetë kushtetutës”, tha Baraliu për RTV21.

Seanca e radhës e Kuvendit mbahet nesër duke filluar nga ora 10:00./Indeksonline/