75 Mall Live Search
21:10 / E Enjte, 03 Korrik 2025 / Burim

Baraliu: Deputetët duhet të votojnë kryeparlamentarin edhe nëse nuk janë në një vijë me partinë e tyre

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, pas gjykata ka dal me afat 30 ditor, deputetët dhe partitë duhet të veprojnë menjëherë për konstituimin e Kuvendit.

“Duhet veprohet me urgjencë dhe pa asnjë vonesë, në mënyrë që të formohet Kuvendi, e pastaj t’i lëshohet radhë edhe formimit të qeverisë. Mandati nuk është i partive politike, por i deputetëve që e kanë marrë besimin e qytetarëve”, ka thënë Baraliu për IndeksOnline.

Ai shtoi se, edhe pa marrëveshje, deputetët janë të obliguar ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit.

“Nuk ka afat më. Brenda këtyre 30 ditësh duhet të konstituohet Kuvendi. Nuk e di a janë në vete, a janë të vetëdijshëm çka po bëjnë dhe çka po presin. Vet e kanë bërë kërkesën në Kushtetuese dhe tani verdikti është dhënë”, ka thënë Baraliu.

Sipas tij, marrëveshja politike është imperativ i domosdoshëm, por edhe në rast se mungon ajo, nuk ka justifikim për mosveprim.

“Nëse partitë nuk dëshirojnë të votojnë për inate të njëra-tjetrës, duhet deputetët, sepse e kanë mandatet e tyre për të formuar Kuvendin. Çdo deputet duhet ta vë gishtin në kokë dhe të mendojë pozitivisht. Më e rëndësishme është shteti dhe formimi i institucioneve”, ka thënë Baraliu për IndeksOnline.

Ai kritikoi ashpër edhe vazhdimin e njëjtë të seancave edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Është vazhdim i avazit të vjetër. Këta janë të papjekur si subjekte politike, kanë arritur të dëshmojnë me këtë papjekurinë dhe mosseriozitetin e tyre ndaj shtetit. Kjo çka po bëjnë është e tmerrshme, është mungesë e vetëdijes dhe përgjegjësisë politike dhe institucionale ndaj shtetit”, ka thënë ai.

Baraliu e vlerëson të pafalshme këtë situatë dhe tha se partitë duhet t’i lënë anash inatet për të zgjedhur sa më parë kryetarin e Kuvendit.

“Është absurde kjo çka po ndodh edhe pas vendimit të Kushtetueses, kur është caktuar afati dhe janë sqaruar gjërat. Vetëm ata që nuk kanë sens për të kuptuar ose dëshirojnë t’i mbajnë inatet e tyre mund të vazhdojnë kështu, por kjo është e pafalshme,” ka thënë Baraliu.

Kujtojmë që deputetët kanë dështuar edhe pas përpjekjes së 41-të për ta konstituar Kuvendin. Deri me tani as Aktgjykimi i Kushtetueses dhe konsultat e liderëve me presidenten Vjosa Osmani nuk kanë dhënë sinjal pozitiv që partitë politike do të arrijnë konsensus për dalje nga ngërçi politik. /IndeksOnline/