75 Mall Live Search
12:22 / E Hënë, 29 Shtator 2025 / Z S

Baraliu: Gjykata Kushtetuese të mendojë mirë para se të marrë vendimin – çështja është shumë e ndjeshme

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të dalë me një njoftim sot ose më së largu nesër në lidhje me vendimmarrjen për seancën konstituive të kuvendit, derisa masa e përkohshme skadon, më 30 shtator.

Sipas njohësit të çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, Gjykata Kushtetuse duhet të mëndojë mirë para se të marrë ndonjë vendim.

‘’Çfarëdo që të jetë vendimi, është vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe personat fizikë apo juridik janë të obliguar që ta zbatojnë atë. Në këtë rast subjektet politike që janë të involvuar në këtë çështje. Unë mendoj se do të duhej që Gjykata Kushtetuse të mendonte mirë dhe besoj që ka menduar mirë para se të marrë një vendim sepse është edhe delikate si çështje, do të duhej të ishte një vendim racional, afirmativ dhe pozitiv që ndihmon në tejkalimin e çështjes’’, thotë Baraliu për Indeksonline.

Më tutje Baraliu shprehet se Kushtetusja duhet t’i hapë rrugë tejkalimit të krizës në kuvend.

‘’Pa dashur ta parashikojë, duhet të kishte një vendim troç, në këtë rast kemi tri variante, varianti i parë Kushtetusja e njeh konstituimin e kuvendit, si variant të dytë e kthen çështjen edhe njëherë në votim të nënkryetarit të komunitetit serb dhe komunitetit tjetër pakicë dhe varianti i tretë mund të jetë që të rekomandohet shkuarja në zgjedhje të reja duke shfrytëzuar dispozitat e kushtetusës në fuqi’’, shprehet Baraliu.

Njohësi i çështjeve kushtetuese thotë se varianit i parë do të ishte varianit më i mirë.

‘’Si variant më i mirë është varianti i parë ku thuhet se kuvendi është konstituuar dhe zgjedhja e nënkryetarit do të mund të bëhet në seancat tjera, me propozim të ri. Ata kanë propozuar vetëm një kandidat, por që i kanë pasur edhe tetë opsione tjera, madje nuk kanë votuar për ta, këto duhet ta ketë parasysh Gjykata Kushtetuse’’, vazhdon Baraliu.

Indeksonline ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Kushtetuese për mundësinë e publikimit të njoftimit para 30 shtatorit. Nga kjo gjykatë janë përgjigjur se “kërkesa e Listës Serbe është duke u shqyrtuar dhe se për çdo vendim do të njoftohen me kohë palët e përfshira, si dhe qytetarët”.

Kushtetuesja kishte vendosur masë të përkohshme pas ankesës së Listës Serbe, e cila pasoi hedhjen në votim ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të kuvendit nga komunitetet pakicë joserbe dhe serbe nga kryeparlamentari Dimal Basha. Përfaqësuesja e komuniteteve joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare, ndërsa dhjetë deputetët e komunitetit serb, përfshirë Nenad Rashiqin, nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për ta marrë këtë post.

Ky vendim pritet të qartësojë hapat e ardhshëm për formimin e plotë të institucioneve të reja./IndeksOnline/