75 Mall Live Search
23:45 / E Mërkurë, 25 Dhjetor 2024 / Z S

Baraliu: Në KQZ ka ndikime nga subjektet politike

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka thënë se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pavarësisht se është institucion i pavarur kushtetues ka ndikime nga subjektet politike.

Sipas tij këto ndikime ndodhin veçanërisht kur është në pyetje interesi i ndonjërit prej këtyre subjekteve ose kur është në pyetje pagesa e obligimeve të caktuara financiare.

“Fatkeqësisht jo vetëm tani por edhe më herët KQZ-ja ndonëse me kushtetutë është një institucion i pavarur me vetë faktin dhe për nga definicioni natyra e veprimtarisë së tij pra që përbëhet nga të deleguarit anëtarë të subjekteve politike ka edhe primesa politike në vendimmarrje hera herës pastaj kur janë interesat e subjekteve politike të atyre që janë anëtarë aty shpeshherë gjatë praktikës kaq vjeçare është hetuar, është vërejtur që ka ndikime politike nga subjektet politike veçanërisht kur është në pyetje interesi i ndonjërit prej këtyre subjekteve ose sidomos kur është në pyetje pagesa e obligimeve të caktuara financiare”, ka thënë ai në Tëvë1.

Sa i përket vendimit të KQZ-së për mosçertifikim të Listës Serbe Baraliu ka thënë se nuk e di me siguri nëse ka pasur një ndikim të tillë politik, mirëpo sipas tij natyra e votimit ka treguar se aty ka pasur diversitet mendimesh.

Kurse për vendimin e PZAP-së është shprehur se është vendim që i takon në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se vendimet e tij janë të detyrueshme për KQZ-në./Indeksonline/