75 Mall Live Search
20:59 / E Martë, 21 Tetor 2025 / Burim

Baraliu: Opozita duhet ta votojë qeverinë pa marrëveshje politike – ta vë në sprovë Kurtin

Profesori universitar Mazllum Baraliu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike rreth krijimit të Qeverisë së Kosovës.

Ai ka thënë se partitë e mëdha opozitare duhet t’ia votojë qeverinë partisë fituese edhe pa marrëveshje politike, në mënyrë që të mos bllokohen institucionet.

“Partia fituese është e interesuar për formimin e Qeverisë. Fatkeqësisht bisedat e partive politike tek ne bëhen nëpër kafene dhe koalicionet edhe më parë kështu janë bërë. Pres që të merren vesh me dikë, ose me ndonjë deputet, sepse i duhen vetëm katër vota”, ka thënë për IndeksOnline Baraliu.

Sipas tij, një vendim strategjik dhe i mençur i partive të mëdha opozitare do të ishte ta votojnë qeverinë pa ndonjë kompromis politik.

“Le ta fusin në sprovë Kurtin, nëse është i zoti t’i çojë proceset përpara, nëse jo do të bie vet në provim. Kështu respektohet vota e qytetarit dhe interesi publik për formimin e institucioneve”, ka thënë për IndeksOnline Baraliu.

Sidoqoftë, ai vlerëson se edhe nëse nuk i ka votat, Albin Kurti do të provojë formimin i Qeverisë.

Tutje, profesori ka komentuar edhe dërgimin e lëndës në Gjykatën Kushtetuese nga Lista Serbe, pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit nënkryetar i Kuvendit.

Sipas Baraliut, Gjykata Kushtetuese duhet ta refuzojë kërkesën e Listës Serbe si të papranueshme.

“Kuvendi është konstituuar, mandatar është caktuar për qeverinë e re dhe duhet respektuar afatet kushtetuese. Refuzimi i kërkesës do të ishte vendimi më i drejtë, sepse Lista Serbe, me vet faktin që ka kërkuar masë mbrojtëse, është e interesuar ta bllokojë dhe zvarrisë procesin e formimit të institucioneve”, ka thënë Baraliu. /IndeksOnline/