Barça mposht sërish Realin, kësaj radhe në Fanligën e Kosovës
Dy fitore në harkun e katër ditëve në futboll dhe dy të tjera brenda një muaji në basketboll. Ky është bilanci dominues së fundmi i Barcelonës ndaj Real Madridit.
Jo vetëm kaq. Katalunasit kanë mposhtur edhe në një tjetër kompeticion madrilenët, ndonëse jo në nivele aq të larta.
Bëhet fjalë për Fanligën e Kosovës në futboll të vogël, ku kryesuesit e tabelës ‘Penya Kosova del FC Barcelona’ kanë triumfuar me rezultat 5-2 ndaj ‘Galaktikëve të Palmës’ në kuadër të xhiros së 6-të, shkruan IndeksOnline.
Për fitoren e radhës të ‘Penyas’ u përkujdesën Hivzi Ahmeti me një gol të shënuar dhe Kujtimi Neziri i cili realizoi poker. Vlen të theksohet se ky i fundit mund të cilësohet edhe si ‘El Pistolero’ i fanligës, pasiqë prinë me 10 gola gjithsejt deri tani.

Ndërkohë dy golat për ‘Galaktikët’ i shënuan Adem Neziri dhe Gent Neziri.
Fanliga ka filluar më 20 janar 2019 dhe përveç ligës me pikë, ndër të tjerash do të garoj për kupë dhe për superkupë.

Tërë sezoni i rregullt ka në program 23 javë lojë dhe parashihet të përfundoj më së largu më 28 korrik 2019.
Liga përbëhet nga 18 javë lojë, kurse Kupa përbëhet nga 4 javë lojë. Superkupa natyrisht do të jetë në fund “crème de la crème” dhe do të luhet në mes dy fituesve, fituesit të ligës dhe fituesit të kupës së Fanligës.

Fanliga e Kosovës mirëpret të marrin pjesë edhe fanklube tjera të ekipeve europiane, siç është rasti me tifozët e ekipit AS Roma të cilët janë paraqitur më vonë dhe gjatë këtij sezoni pritet të inkuadrohen dhe të marrin pjesë vetëm për kupë apo superkupë.

Momentalisht, financimi bëhet nga fanklubet dhe pjesëmarrësit e tyre. Por duke marrë parasysh shpenzime e larta javore, pagesën e fushës, pagesën e dy gjyqtarëve, delegatit dhe të pajisjeve të tjera sportive, Fanliga ka nisur proces për tu bërë OJQ, dhe mirëpret sponsorizues e përkrahës të çdo lloji për këtë projekt madhështor me aktivitet kulturor, shoqëror e sportiv.

Fanklubet të cilat po e mrekullojnë këtë organizim, janë të regjistruara zyrtarisht nëpër klubet e tyre europiane dhe vërtetë ia vlenë të ceket se janë tifozë të organizuar shumë mirë e jashtëzakonisht të çmuar për shoqërinë në vend.
Ndeshjet zhvillohen cdo të diel dhe fillojnë në nga ora 10:00 në fushën “Sopa Sport”.













