Barça në Balaidos për të marrë kreun, Lazio për të mos humbur më shumë terren ndaj Juves!

Barcelona ka mundësinë ideale për të rimarrë kreun e La Ligas këtë të shtunë në transfertën e Balaidos ndaj Celta Vigos. Një transfertë delikate por që duhet fituar nga Messi me shokë sepse blaugranat nga tani e deri në fund të kampionatit duhet t’i fitojnë të gjitha ndeshjet për të shpresuar te ndonjë hap fals i Realit të Madridit.
Sergi Busquets, Sergi Roberto, Dembele dhe Frenkie De Jong janë mungesat e Barçës në këtë sfidë. Edhe Celta Vigo po kalon një moment të mirë ndërkohë pasi ka grumbulluar 7 pikë në 3 ndeshjet e fundit dhe i është larguar ndjeshëm fundit të renditjes.
Sfida interesante poashtu ka edhe ne as Serie A. Gjithçka nis me sfidën për mbijetesë mes Brescias dhe Genoas që do të luhet në Rigamonti në orën 17:15.
Në orën 19:30 Cagliari pret në Sardenjë Torinon. Ndërkohë në mbrëmje Lazio pas humbjes ndaj Atalantës do të kërkojë të shpresojë deri në fund te titulli kampion duke mposhtur Fiorentinën në Olimpico dhe duke e ngushtuar sërish në -4 diferencën me Juventusin.
Në Angli këtë të shtunë vëmendja më e madhe kalon te FA Cup teksa luhet çerekfinalja e parë ajo mes Norëich dhe Manchester United, me “Djajtë e Kuq” që janë favoritë të mëdhenj për të avancuar në fazën tjetër.
Po këtë të shtunë luhet edhe java e fundit e Bundesligës ajo e 34-ta ku mbetet për t’u përcaktuar se cila skuadër do të bjerë direkt nga kategoria mes Werder Bremen dhe Fortuna Dusseldorf dhe cila skuadër mes Hoffenheim dhe Wolfsburg do të kualifikohet direkt në fazën e grupeve të Europa League.