75 Mall Live Search
22:46 / E Shtunë, 20 Prill 2019 / indeksADMonline

Barça nuk gabon, i afrohet edhe më afër titullit

Pasi siguroi pa shumë vuajtje gjysmëfinalet e Champions Leagues, Barcelona është angazhuar tashmë të mbyllë sa më shpejt llogaritë me titullin kampion dhe mbrëmjen e sotme ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm.

Katalanët fituan me rezultatin 2-1 përballë skuadrës baske të Real Sociedadit, në “Camp Nou”, në një sfidë ku më shumë sesa loja dhe golat, merr vlerë 3-pikëshi, që çon Barçën vetëm 6 pikë larg titullit kampion.

Të besuarit e Valverdes zhbllokuan rezultatin në minutat e fundit të pjesës së parë, kur mbrojtësi Lenglet shfrytëzoi maksimalisht një krosim të Ousmane Dembele, për të dërguar topin në rrjetën e skuadrës baske.

Real Sociedadi ia doli të barazojë në minutën e 62-të me anë të Juanmi, por vetëm dy minuta më vonë, Messi asistoi për Jordi Albën dhe spanjolli shënoi duke rikthyer sërish Barcelonën në avantazh.

Aktualisht Barcelona kryeson me 77 pikë, vetëm 9 më tepër sesa Atletico e Madridit, e vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 5 javë nga fundi i kampionatit.