75 Mall Live Search
23:07 / E Mërkurë, 21 Janar 2026 / Gj Sh

Barcelona fiton me përmbysje ndaj Slavia Pragës

Barcelona nuk ka lejuar befasi, duke e mposhtur Slavia Pragën në udhëtim, në ndeshjen e javës së shtatë të fazës së ligës në Champions.

Edhe pse skuadra çeke kishte epërsinë, ”Blaugranët” arritën të përmbysen rezultatin dhe në fund triumfuan me shifrat 2-4, shkruan IndeksOnline.

Vasil Kusej hapi serinë e golave në minutën e 10-të.

Fermin Lopez shënoi dy gola brenda tetë minutave, në 34′ dhe 42′, për të përmbysur rezultatin qysh në pjesën e parë.

Por diçka e çudishme ndodhi pas dy minutave, ku sulmuesi polak, Robert Lewandowski shënoi autogol dhe barazoi rezultatin në 2-2.

Në pjesën e dytë, skuadra e Hansi Flick shënoi dy gola të tjerë, fillimisht me Dani Olmon në minutën e 63-të dhe pastaj Lewandowski përmirësoi gabimin, duke shënuar golin e qetësisë, në minutën e 71-të.

Barcelona me këtë fitore shkon në kuotën e 13-të pikëve dhe renditet e nënta në tabelë, derisa Slavia Praga me 3 pikë tashmë është e eliminuar nga Champions League për këtë sezon./IndeksOnline/