75 Mall Live Search
14:10 / E Diele, 06 Korrik 2025 / L A

Barcelona heq dorë nga Dumfries

Pavarësisht zërave që e lidhin mbrojtësin e Interit, Denzel Dumfries, me Barcelonën, raportet më të fundit nga Spanja theksojnë se klubi katalanas ka vendosur të mos e aktivizojë klauzolën e lirimit të holandezit.

Dumfries ka një klauzolë lirimi prej 25 milionë eurosh që vlen për klubet e huaja deri në mesin e korrikut, por sipas Marca, Barcelona nuk ka interes ta shfrytëzojë këtë mundësi.

Raportet tregojnë se Barcelona është e kënaqur me paraqitjet e titullarit Jules Koundé, i cili ishte pjesë kyçe në sukseset e klubit në La Liga dhe Kupën e Mbretit.

Për më tepër, trajneri Hansi Flick sheh te Héctor Fort të ardhmen e krahut të djathtë të mbrojtjes, ndërsa edhe Eric Garcia, për shkak të fleksibilitetit të tij, mund të mbulojë atë pozitë kur është e nevojshme.

Përveç kësaj, klubi katalanas po përballet ende me kufizimet e “Financial Fair Play”, dhe në rast se do ta transferonte Dumfries, ekziston rreziku që ai të mos mund të regjistrohej si lojtar i skuadrës – një situatë jo e favorshme për asnjërën palë.