Barcelona pëson tronditje para ndeshjes me Napolin në Champions League

Barcelona njoftoi për lëndimet e Pedri dhe De Jong, pasi u detyruan të lënë fushën në ndeshjen ndaj Bilbaos.
Lajm tejet i keq për Barcelonën është fakti se dy lojtarët nuk do të jenë në ndeshjen kthyese të Champions League kundër Napolit.
Pedri ka një dëmtim në rektus femoris të këmbës së djathtë, i njëjti që e ka ndaluar për shumë ndeshje këtë sezon. Në fakt, ky dëmtim është i treti që lojtari ka pasur gjatë gjithë sezonit. E sigurt është se lojtari nuk do të mund të marrë pjesë në ndeshjet kundër Napolit dhe Atlético de Madridit dhe nuk do të shkojë në kombëtare gjatë pushimit të radhës.
Frenkie de Jong pëson një ndrydhje në anën e jashtme të kyçit të këmbës së tij të djathtë . Ky është lëndimi i dytë i lojtarit gjatë këtij sezoni. Një dëmtim që vjen në një moment të vështirë sa i përket vazhdimësisë së tij pasi ai është duke negociuar rinovimin e kontratës me Barcelonën, ndërkohë që ka zëra që flasin për një shitje të mundshme në verë.
Lojtari gjithashtu nuk do të jetë në gjendje të luajë kundër Napolit në Ligën e Kampionëve./Indeksonline/