75 Mall Live Search
11:09 / E Diele, 10 Mars 2024 / Gj. Sh

Barcelona pranon ofertë prej 200 milionë euro për Lamine Yamal

Largimi i Kylian Mbappe ka mërzitur disi drejtuesit e Paris Saint Germain, që gjithsesi nuk kanë ndërmend të humbin kohë dhe janë hedhur menjëherë në kërkim të zëvendësuesit të yllit francez.

I preferuari i Al Khelaifit, por edhe i trajnerit Luis Enrique, duket se është sulmuesi i talentuar i Barcelonës, Lamine Yamal. Ky i fundit është vetëm 16 vjeç dhe në “Camp Nou” shihet si Lionel Messi i ardhshëm i katalanëve.

Këtë sezon Yamal numëron 37 ndeshje me Barcelonën dhe 6 gola të shënuar, të fundit mjaft spektakolar ndaj Mallorcës mbrëmjen e të premtes, teksa Paris Saint Germain është gati të bëjë një tjetër çmenduri për ta transferuar në “Parkun e Princave”.

Sipas medias franceze, Al Khelaifi ka treguar gatishmërinë të paguajë 200 milionë euro për kartonin e futbollistit të talentuar. Pikërisht për këtë arsye, agjenti i Yamal, Jorge Mendes ishte në Barcelonë këtë javë, ku ndër të tjera vuri në dijeni presidentin Laporta për interesimin ndaj sulmuesit 16-vjeçar.

Natyrisht katalanët nuk do të donin të hiqnin dorë nga një prej futbollistëve më premtues, që në korrik do të mbushë 17-vjeç dhe që po tregon që tani se mund të marrë për dore Barcelonën drejt objektivave të saj madhorë.

Megjithatë 200 milionë euro nuk janë pak dhe në situatën e vështirë ekonomike që po kalojnë katalanët, ato para mund të mjaftonin për të bërë disa përforcime gjatë merkatos së verës dhe për të kompletuar ekipin.