20:59 / E Mërkurë, 22 Mars 2023 / Gj. Sh

Barcelona rrezikon përjashtimin nga Champions League

Çështja Negreira pritet t’i shkaktojë pasojë të rënda Barcelonës. Klubi katalanas rrezikon pjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm të Champions League.

El Confidencial është e bindur që klubi historik spanjoll mund të përjashtohet nga turneu më i rëndësishëm për klube nga UEFA.

Organi më i lartë i futbollit europian, po merr në shqyrtim idenë që Barcelona të mos jetë pjesë e Champions League për sezonin 2023/2024.

Gjithçka varet nga shtrirja e sanksioneve sportive, rrjedhimisht edhe atyre ekonomike. Ish-arbitri profesionist spanjoll, Enriquez Negreira, ka përfunduar nën hetim për pagesa prej më shumë se 1.4 milionë eurosh nga drejtuesit katalanas.

UEFA i ka dërguar tashmë RFEF-së (Federata Spanjolle e Fuytbollit) një kërkesë për sqarim në lidhje me hetimet e kryera. Nëse është shkelur neni 12, ai që detyron anëtarët e UEFA-s “të përmbahen nga çdo sjellje që dëmton ose mund të dëmtojë integritetin e ndeshjeve dhe garave” Barça do të rrezikonte seriozisht të përjashtohej nga Champions League.