75 Mall Live Search
21:06 / E Martë, 21 Tetor 2025 / Burim

Barcelona ‘shkatërron’ Olympiacosin, shkëlqen Lopez

Barcelona ka dhuruar spektakël të vërtetë në javën e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur bindshëm Olympiacosin me rezultat 6:1.

Skuadra e Hans Flick e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe shumë vendosmëri. Që në minutën e 7-të, Fermin Lopez e zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të shpejtë në zonën kundërshtare. I njëjti lojtar do të dyfishonte avantazhin në minutën e 39-të, duke konfirmuar formën e tij fantastike dhe dominimin e Barcelonës në pjesën e parë.

Olympiacosi arriti të ngushtojë rezultatin në minutën e 54-t, kur El Kaabi shënoi nga pika e bardhë pas një penalltie të akorduar me ndihmën e VAR-it. Megjithatë, shpresat e skuadrës greke zgjatën shumë pak, pasi vetëm tre minuta më vonë Hezze mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja, duke e lënë ekipin e tij me dhjetë lojtarë.

Barcelona nuk e fali. Në minutën e 68-të, talenti Lamine Yamal u tregua i qetë nga pika e bardhë dhe shënoi për 3:1, duke festuar me një puthje drejt tribunave. Pas këtij momenti, katalanasit shpërthyen në ofensivë. Rashford realizoi golin e katërt në minutën e 74-të, ndërsa Fermin Lopez kompletoi “hat-trick”-un e tij vetëm dy minuta më vonë, duke e çuar rezultatin në 5:1. Spektaklin e mbylli sërish Rashford në minutën e 79-të me një goditje të saktë që vulosi rezultatin përfundimtar 6:1.

Me këtë fitore, Barcelona ngjitet në vendin e tretë të grupit me gjashtë pikë, duke rritur ndjeshëm gjasat për kualifikim në fazën e eliminimit direkt. Në anën tjetër, Olympiacos mbetet në fund të tabelës me vetëm një pikë pas tre ndeshjeve dhe me shumë pak shpresë për të vazhduar më tej.