19:59 / E Enjte, 25 Prill 2024 / FR

Barcola shpjegon të kuqin e Araujos: E dija që do më bënte faull

Kartoni i kuq i Araujos rezultoi të ishte vendimtar në kualifikimin e Paris Saint Germain në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, teksa për episodin është kthyer të flasë edhe sulmuesi i francezëve, Bradley Barcola.

Pikërisht ai ishte subjekt i faullit të Araujos, që i kushtoi përjashtimin që në pjesën e parë, teksa sulmuesi i talentuar i PSG-së ka rrëfyer edhe rrjedhën e aksionit që i kushtoi shtrenjtë mbrojtësit të Barcelonës.

“E pashë Araujon që po vinte me shumë shpejtësi për të më arritur dhe menjëherë vendosa të futem në qendër për t’i prerë rrugën. Isha i bindur që me atë lëvizje ai do të më bënte faull, pasi nuk ndalonte dot, aq shpejt sa po vraponte. Pra më shumë se gabim i Araujos, ishte një vendim i mirë i imi, në lojën një kundër një”, rrëfeu sulmuesi i talentuar i PSG-së.