Bardhi: Gaz lotsjellës brenda xhamisë së Namazgjasë, akt i papranueshëm
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi gjatë protestës së opozitës ka postuar në facebook një video nga xhamia e Tiranës nga ku është hedhur gaz lotsjellës.
Bardhi thekson se ky është një akt i rëndë dhe pengon besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre në këtë muaj të Ramazanit.
“Hedhja e gazit lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur nuk ka asnjë protestues, përbën një akt të rëndë dhe të papranueshëm. Është një cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit.
E dënoj me forcën më të madhe këtë veprim, që i ngjan praktikave të një regjimi represiv dhe bie ndesh me çdo standard demokratik.
Sot, 35 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit, është e papranueshme që në këtë vend të përdoren metodat diktatoriale të regjimit komunist. Bustin e rrëzuam 3 dekada më parë, prandaj frikën dhe dhunën nuk do t’i lejojmë të ngrihen sërish”, shkruan Bardhi.

