75 Mall Live Search
20:19 / E Martë, 10 Qershor 2025 / MSH

Barduani vlerëson ushtrimin e përbashkët “Shpata e Artë”

Sot, misioni KFOR-it, EULEX-i dhe Policia e Kosovës zhvilluan ushtrimin “Shpata e Artë 2025”, në zonën e stërvitjes në kampin Vrellë.

“Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, e paraqiti ushtrimin si një demonstrim elokuent të integrimit dhe ndërveprimit midis kontingjenteve shumëkombëshe të KFOR-it, si dhe të bashkëpunimit me reaguesit e tjerë të sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Forca e Sigurisë së Kosovës mori pjesë gjithashtu në ushtrim, duke kryer trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të municioneve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme, në përputhje me mandatin e saj fillestar.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet tutje në njoftim.