Basha: 28 Nëntori na mban bashkë dhe kujton sakrificat shekullore
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë sonte në ngjarjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në nderim të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Basha e ka cilësuar 28 nëntorin si një frymë që mban shqiptarët bashkë dhe si një kujtim të sakrificave shekullore të brezave që jetuan, punuan e ranë për çlirim dhe bashkim të trojeve shqiptare.
“Nga Skënderbeu, që ngriti flamurin në Krujë, te qëndresa heroike e Kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari me familjen e tij, 28 nëntori është ura që na lidh me epokat e lavdisë sonë kombëtare. Çdo brez ka lënë gjurmë në këtë udhë të gjatë me heronjtë e vet, dhe kjo është linja që na mëson se liria për ne është e shenjtë dhe mbetet obligim ynë ta ruajmë e ta avancojmë kombin tonë deri në realizimin e idealeve historike,” ka thënë kryetari i Kuvendit.
Basha ka theksuar gjithashtu se më shumë se kurrë ndjehet detyrimi institucional, moral dhe kombëtar për të ruajtur këtë trashëgimi, për të forcuar bashkëpunimin mes shqiptarëve kudo që jetojnë dhe për të qëndruar bashkë përballë çdo sfide. Ai ka shtuar se bashkimi i shqiptarëve është forca më e madhe që kanë dhe se e ardhmja ndërtohet mbi këtë premisë që ka shënuar fitoret përgjatë historisë së kombit.
“Urime 113-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Qoftë 28 nëntori ditë e përhershme krenarie, frymëzimi dhe besimi në fuqinë e kombit tonë. Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për flamurin dhe kombin tonë dhe e bënë të mundur që sot të festojmë të lirë e të pavarur,” ka thënë Dimal Basha.

